Parlamenti malazez mes polemikave dhe protestave të shumta miraton ndryshimin e Ligjit për Liritë Fetare

29 Dhjetor 2020, 10:14| Përditesimi: 29 Dhjetor 2020, 10:18

  • Share

Parlamenti malazez ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Liritë Fetare, pavarësisht protestave dhe kundërshtive, e fundit e mbajtur ditën e djeshme nga mbështetësit e opozitës. Ligji për Liritë Fetare është miratuar nga Qeveria e kaluar, e udhëhequr nga Markoviç, në fund të vitit 2019, por që pati kundërshti të mëdha nga Kisha Ortodokse Serbe.

Për këtë arsye u kërkua nga qeveria e re, ndryshimi i ligjit.   Pro ndryshimeve votuan 41 deputetë të shumicës qeverisëse, megjithatë deputetët e opozitës nuk ishin pjesë e seancës.

Me ligjin e miratuar në 2019, objektet dhe tokat fetare që kanë qenë të shtetit deri në vitin 1918, do t’i kalojnë shtetit nëse nuk ka prova se ato janë fetare. Kisha thoshte se me këtë ligj, shteti dëshiron t’ia marrë pronën.

Ndryshimet e miratuara fshinë nenet nga versioni i mëparshëm i Ligjit për Liritë Fetare në të cilat përcaktohej se "të gjitha ndërtesat fetare që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore dhe ishin pronë e shtetit të Malit të Zi para humbjes së pavarësisë së tij më 1918 dhe që më vonë nuk janë bërë pronë e një komuniteti fetar në mënyrë të përshtatshme ligjore, do të njihen si pronë e shtetit".

Ky nen ishte i papranueshëm për Kishën Ortodokse Serbe, e cila menjëherë pas miratimit të versionit të parë të ligjit, në dhjetor 2019, nisi protesta të gjera, me mbështetjen e shumicës së opozitës së atëhershme. 

Ndryshimet e reja në Ligj gjithashtu shfuqizuan dispozitën ku parashihej që një komunitet fetar duhet të regjistrohet, e cila ishte gjithashtu një nga pikat që Kisha Ortodokse Serbe e kundërshtoi me forcë.

Ndërkohë që me propozim të lëvizjes URA , bashkësitë fetare qendrat e të cilave janë jashtë vendit dhe të cilat nuk janë regjistruar në regjistra, janë të detyruar të veprojnë brenda rendit ligjor të Malit të Zi.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?