Lulzim Basha, Shpëtim Idrizi dhe Monika Kryemadhi në mbledhjen e opozitës në Vlorë

Parlamenti shëtitës i opozitës, u bë gazi botës

22 Shtator 2018, 17:39| Përditesimi: 22 Shtator 2018, 17:58

  • Share

Parlamenti “Shëtitës” i opozitës, është bërë gazi i botës. Sorrollatjet lart e poshtë, sa në një qytet në tjetrin, “ledhatimet” dhe “përkëdhelitë” duket se nuk u shkojnë pasanikëve të një opozite e cila edhe pse u votua nga një pjesë e shqiptarëve, deri sot e ka treguar vehten të pazotë, të paditur, të paaftë në misionin e saj politik.

Edhe vajtja e “Parlamentit Shëtitës” në Vlorë (që të kujton cirkun shëtitës) dhe jo në sallën e Kuvendit ku trajtohen dhe rrihen problemet dhe miratohen ligjet aq të rëndësishme për vendin dhe shqiptarët, ishte show e rradhës e kryetarit Lulzim Basha dhe pasanikëve të tij, që vuajnë mungesën e pushtetit, dhe asgjë tjetër.

Duke mbledhur rreth vehtes “aleatë me peshë” siç është afruar së fundi edhe Idrizi i PDIU, duket se kjo opozitë po bëhet gazi botës, dhe kjo mjafton ti dëgjosh tek hedhin “lotin e krokodilit” për Teatrin Kombetar (të cilin Lulzimi kur ishte kryetar bashkie paska dashur ta privatizojë) apo kur akuzojnë dhe denoncojnë me fakte babalesh, kolegët e tyre deputetë dhe ministrat. Parlamenti Shëtitës, janë bërë gazi i botës, tek i shikon të sorrollaten qytet më qytet dhe salla hotelesh , tek mbledhin “antikomunistë dhe demokratë” në rrethe, dhe u tregojnë atyre përralla nga e kaluara. Janë bërë gazi botës, tek i dëgjon të sqarojnë në media, “Vettingu-n në politikë” axhamitë e një partie, e cila ka 6 vjet që nuk prodhon asnjë gram politikë, por merret me skenare, lojra dhe histori fjalësh.

“Shteti ka rënë, jemi në emergjencë kombëtare”- deklaroi nga Vlora Lulzim Basha. Por edhe sikur të ishte e vërtetë, vetëm se e thua ti zoti Basha, asnjë shqiptar nuk arrin ta besojë. Por dhe sikur të ishte e vërtetë, cila është zgjidhja sipas teje zoti Basha, ndërrim pushteti ?

Jo, shqiptarët nuk mund ti besojnë Parlamentit Shëtitës, shqiptarët nuk mund ti besojnë një opozite e cila është e rrudhur, e paaftë, e pabesueshme, që herë largon dhe herë afron partiçka , që sapo rrëmbejnë ndonjë gjë nga pushteti dhe qeverisja, hop hidhen në krahët e tua, me shpresën se “do të kemi ndonjë shans me Lulzimin”. Shqiptarët nuk mund ti besojnë Parlamentit Shëtitës, që ka braktisur sallën e Kuvendit , që ka braktisur hallet dhe problemet e elektoratit, e sorrollatet sallave të hoteleve, nga një qytet në tjetrin, për të bërë opozitën.

Shqiptarët nuk mund ti besojnë Parlamentit Shëtitës, që çdo të enjten nga sallat e hoteleve në rrethe, njëherë ngre problemin e “krimit të lidhur me pushtetin”, njëherë ngre problemin e “korrupsionit që ka mbërthyer shtetin, njëherë “mbron Teatrin dhe artistët”, dhe pastaj kur dalin nga arkivat faktet e reja, hesht dhe merret me tezën e re “shteti ka rënë, jemi në emergjencë kombetare”. Jo zoti Basha, shteti është në këmbë, po ju fton çdo ditë ju të Parlamentit Shëtitës për bashkëpunim institucional, po ju fton ju çdo ditë për të kontribuar në reformat e thella në organet e drejtësisë, po ju fton ju çdo ditë të jeni pjesë aktive e reformimit të institucioneve, pasi qershori i 2019 vjen shpejt, por ju doni pushtetin dhe asgjë tjetër.

Ju thjesht jeni kthyer në Parlement Shëtitës, dhe nuk po pushoni së njollosuri asnjë që u del kundër, si brënda ashtu edhe jashtë partisë, madje nuk kurseni edhe mediat. Ju jeni kthyer thjesht në sehirxhinj, dhe kënaqeni kur deklaroni se “krimi po mbyt Vlorën, krimi po mbyt Shkodrën”, por nuk shpjegoni se përse mijëra armë gjenden akoma edhe sot e kësaj dite në duart e shqiptarëve, kush është shkaktari, kush e shkatërroi shtetin nga themelet 20 e ca vjet më parë, dhe sa përgjegjsi ka opozita e sotme?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve nxjerrin edhe fajtorët e kësaj situate, e këtyre pasojave që shqiptarët po vuajnë edhe sot e kësaj dite. Shpifjet dhe shpikjet nuk të sjellin dhe nuk të japin pushtet, sido që të rrotullohesh, sido që të veprosh, qoftë edhe kur braktis sallën e Kuvendit, apo kur sulmon cilindo që

përballet me fakte për të hedhur poshtë akuzat e rreme. Parlamenti Shëtitës, ishte shpikja më e fundit në kohë krize, e një opozite që pasi ka qenë për vite me rradhë në pushtet, nuk arrin të mësohet me faktin se atë e ka humbur me votë atë, dhe jo me dhunë. Por e keqja më e madhe është se me mentalitetin e “Asgjësë” Parlamenti Shëtitës, po kultivon edhe të rinjtë e kësaj opozite, duke i kthyer ata në parazitë bulevardesh, dhe që nesër do të jenë “asgjëja e partisë” dhe vazhdimi i mohimit të demokracisë./TemA/

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?