Nga përplasja e fundit në Parlament, Dogjani bllokon foltoren dhe pengon Idrizin të mbajë fjalën
Parlamenti edhe pse kaloi një ditë përgjithësisht të qetë në debatet për buxhetin 2025, nuk munguan herë pas here edhe tensionet në sallë në episode të veçanta nga deputetët e opozitës.
Pas përplasjes së parë të Gazment Bardhit që sulmoi tre ministret e kabinetit “Rama” që po bisedonin, teksa deputeti Asllan Dogjani kërkoi të mbahej një minutë heshtje për 14-vjeçarin e vrarë dje pas sherrit në shkollë, konfrontimet janë rikthyer sërish.
Dogjani ka kërkuar rreth orës 20:00 fjalën, teksa do dilte në foltore deputeti Shpëtim Idrizi. Kryeparlamentarja Elisa Spiropali i kërkoi që të lironte foltoren dhe kolegun e PDIU që të fliste. Dogjani ka përdorur edhe fjalë fyese, teksa Spiropali i tërhoqi veshin. Ndërhyrja e Gardës solli debate të tjera dhe deri në konfrontim të lehtë.
Dogjani i kërkoi Spiropalit që të ndërhynte për një nga Gardistët që e kishte ndaluar, teka e quajti atë disa herë "rrugaç". Në këtë moment u ngrit edhe deputeti Gazment Bardhi drejt foltores. Dogjani hodhi akuza, teksa nga salla iu përgjigjen edhe deputetët e mazhorancës, mes tyre edhe Erjon Braçe, që i kërkoi të lironte foltoren dhe të mos kërcënonte e pengonte punimet.
Në një moment, kërcënimeve të Dogjanit, Spiropali iu përgjigj me "nuk ta kemi frikën". Bllokimi i foltores zgjati për disa minuta.
Sipas rendit të ditës, pas fjalës së Idrizit, Shalsit dhe Tabakut, parashikohet të mbahet edhe votimi për buxhetin në seancë plenare.
Debati Spiropali-Dogjani:
Elisa Spiropali: Zoti Dogjani jo me fyerje! Pse krijon incident në mënyrë të panevojshme zoti Dogjani, për çfarë e bëni këtë skenë krejt të panevojshme, Grada ka punën e saj. Përse e zë foltoren dhe mban peng deputetët, po provokoni një sallë të tërë.
Dogjani: Janë 300 pensionistë nga Kukësi, Hasi dhe Tropoja që marrin vetëm 3300 lekë në muaj.
(Në këtë moment ka edhe reagim të deputetëve të mazhorancës nga salla dhe ngrihen tonet)
Spiropali: Kjo nuk është për procedurë, ju lutem, mos e bëni këtë skenë, se dalim në mënyrë të shëmtuar në sytë e qytetarëve. Uluni ju lutem!
Lajmi kryesor:
Kuvendi miraton në parim pr/buxhetin e vitit 2025, PS kalon portofolin 8.2 miliardë euro me 75 vota! PD-së i dështon protesta
A.Q/ReportTv.al