Marash Kumbulla duket se nuk ka vend te Roma. Dëmtimi e mbajti për një vit jashtë mbrojtësin e Kombëtares, me shtatëlartin që u huazua muajt e fundit të sezonit të shkuar te Sassuolo.
Rikthimi në Romë ka bërë që për Kumbullën të ketë disa oferta, mes tyre edhe Parma që sezonin e ri ka siguruar të drejtën për të qenë pjesë e Serie A në kampionatin elitar të Italisë.
Kumbulla ka punuar me trajner e Parmës Fabbio Pecchia dhe zëvendësin e tij Antonio Porta më herët, gjatë kohës së tyre te Hellas Verona. Lojtari i lindur në vitin 2000 mund t’i japë cilësi dhe përvojë skuadrës emiliane.
Fakti është se para se të tentojë Kumbullën, Parma duhet të shesë lojtarë, pasi ka mbipopullim në qendër të mbrojtjes. Për momentin, qendërmbrojtësit në dispozicion të Pecchia-s janë katër: Circati, Osorio, Balogh dhe Valenti.