Shqipëria renditet në fund të Europës për mbështetjen financiare ndaj kërkimit shkencor dhe zhvillimit universitar, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, tha sot drejtoresha e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula.
Sula tha se buxheti i alokuar nga qeveria për këtë sektor ishte vetëm 0.19% e PBB-së, ose 40.9 milionë euro, shifër që sipas saj është e “fryrë”, pasi përfshin fonde të raporteve të tjera, si ato të qendrës së transferimit të teknologjive bujqësore, pagat e Akademisë së Shkencave dhe agjenci të ndryshme qeveritare.
“Realisht, fondet për kërkimin shkencor nuk e kalojnë 10 milionë euro, ose 0.06% të PBB-së, duke e lënë Shqipërinë në fund të listës evropiane,” theksoi Sula.
Ajo solli në vëmendje kontrastin me vendet e Bashkimit Europian, ku financimi publik për kërkimin shkencor arrin në 0.71% të PBB-së, ose rreth 128 miliardë euro. Sipas Eurostat, këto investime janë kyçe për konkurrueshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, ndërsa Shqipëria, sipas Sulas, mbetet “në kolaps” për shkak të mungesës së vëmendjes institucionale dhe përqendrimit të ekonomisë vetëm në ndërtim dhe turizëm.
Në deklaratën e saj, drejtoresha e arsimit në PD akuzoi qeverinë se, përveç nënfinancimit, po ushtron presion dhe shantazh ndaj botës akademike:
“Me metodat e diktaturës së vitit 1946, me ngritjen e klaneve që përdorin edhe studentët për të diskriminuar stafet kërkimore, me largime dhe shantazhe ndaj profesorëve që kanë mendim ndryshe, qeveria ka nëpërkëmbur dinjitetin e universiteteve.”
Komente
