Partia e Lirisë akuzon qeverinë se ka dështuar me politikat sociale. Në një deklaratë për mediat, kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim Myrvete Asqeri, tha se sipas të dhënave zyrtare, 52% e qytetarëve që dolën në pension në vitin 2024 nuk përfitojnë pension të plotë, por të pjeshëm. Kjo shifër, sipas saj, tregon dramën sociale që ka shkaktuar qeveria, e cila në këto vite vetëm ka promovuar propagandë dhe shifra boshe.
“Reforma e pensioneve e vitit 2014, që kërkon nga 35 në 40 vite sigurim për një pension të plotë, nuk është reformë, është dënim me mjerim për një brez të tërë që ka punuar me ndershmëri, por është lënë jashtë sistemit nga politikat korruptive dhe mungesa e shtetit ligjor. Një reformë që u bë në një vend ku gjysma e ekonomisë ka qenë në të zezë, ku mijëra shqiptarë kanë punuar pa kontratë, dhe ku shteti ka munguar sistematikisht.”, u shpreh ajo.
Ajo thotë se pas 12 vitesh në pushtet, qeveria garanton për pensionistët vetëm varfëri dhe pasiguri. Asqeri u shpreh se me Partinë e Lirisë, pensionistët do të jenë prioritet, duke shtuar se programi i tyre ofron pension minimal 200 euro, indeksim progresiv automatik i pensioneve sipas inflacionit real dhe kthimin e bonusit të fundvitit në një të drejtë ligjore, dhe jo thjesht një favor elektoral.
“Nëse nuk ndryshojmë këtë realitet sot, po i themi brezave që vijnë: “Puno, kontribuo dhe kur të vish në moshën e pensionit... do të harrohesh.” Kjo nuk është e pranueshme. Partia e Lirisë do të bëjë gjithçka që kjo padrejtësi historike të marrë fund. Pensioni nuk është lëmoshë, por është e drejtë. E jona është detyra për ta garantuar.”, shtoi ajo.
Deklarata e plotë:
Sot, Shqipëria përballet me një nga pasqyrat më të errëta të dështimit shtetëror dhe social. Sipas të dhënave zyrtare, 52% e qytetarëve që dolën në pension në vitin 2024 nuk përfitojnë pension të plotë, por të pjeshëm. Janë mijëra burra dhe gra që kanë punuar një jetë të tërë, që sot e gjejnë veten të dënuar nga sistemi që i braktisi. Ky nuk është një problem statistikor, por është një dramë sociale e bërë nga një qeveri që nuk ka pasur as vullnetin, as vizionin dhe as ndërgjegjen për të ndërtuar një shtet social.
Ky është një dështim total i politikave sociale të kësaj qeverie, që për 10 vjet me radhë ka promovuar propagandë dhe shifra boshe.
Reforma e pensioneve e vitit 2014, që kërkon nga 35 në 40 vite sigurim për një pension të plotë, nuk është reformë, është dënim me mjerim për një brez të tërë që ka punuar me ndershmëri, por është lënë jashtë sistemit nga politikat korruptive dhe mungesa e shtetit ligjor.
Një reformë që u bë në një vend ku gjysma e ekonomisë ka qenë në të zezë, ku mijëra shqiptarë kanë punuar pa kontratë, dhe ku shteti ka munguar sistematikisht. Vitin e kaluar duheshin më shumë se 38 vite me sigurime për të përfituar pension të plotë, por të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2024, vitet mesatare të sigurimit për pensionet e reja ishin 26.7%, shumë më poshtë kriterit për pension të plotë.
Sot, pas 12 vitesh qeverisje, e vetmja gjë që qeveria garanton për pensionistët është varfëri dhe pasiguri. Pensioni i pjesshëm është kthyer në normë, jo përjashtim. Pagesat për ilaçe e shërbime bazë nuk mbulohen dot nga pensioni, ndërkohë që luksi i pushtetarëve rritet, klientelizmi forcohet dhe buxheti i shtetit vidhet çdo ditë përmes PPP-ve dhe tenderëve të dyshimtë.
Partia e Lirisë e ka dinjitetin e pensionistëve si prioritet të padiskutueshëm. Programi ynë, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, është i qartë, i drejtë dhe i realizueshëm: Pension minimal jo më pak se minimumi jetik (200 € në muaj), cdo qytetar shqiptar ka të drejtë të mos jetojë në mjerim në pleqëri, por me dinjitet. Indeksim progresiv automatik i pensioneve sipas inflacionit real, jo me përqindje simbolike. Kthim i bonusit të fundvitit si e drejtë ligjore, jo si favor elektoral.
Subvencionim i barnave dhe shërbimeve mjekësore për moshën e tretë. Nëse nuk ndryshojmë këtë realitet sot, po i themi brezave që vijnë: “Puno, kontribuo dhe kur të vish në moshën e pensionit... do të harrohesh.” Kjo nuk është e pranueshme. Partia e Lirisë do të bëjë gjithçka që kjo padrejtësi historike të marrë fund. Pensioni nuk është lëmoshë, por është e drejtë. E jona është detyra për ta garantuar.
Komente
