Partia e Lirisë e cilëson një skandal të paprecedentë bllokimin e fondeve të IPARD nga Bashkimi Europian, si një akuzë ndaj qeverisë.
Zv/sekretarja e Përgjithshme e këtij subjekti, Brunilda Haxhiu, doli sot në një deklaratë për mediat, ku theksoi se tani zyrtarisht është konfirmuar ndërprerja nga BE e 112 mln eurove grante për Bujqësinë shqiptare.
Haxhiu theksoi se BE ka bërë kërkesë të qartë edhe për hetimin e përgjegjësinë për zhdukjen e 35 milionë euro që duhej të shkonin për fermerët dhe përpunuesit vendas.
“Qeveria e Edi Ramës, jo vetëm që nuk ka bërë asnjë përpjekje për të hetuar zhdukjen e fondeve, por përkundrazi ka rënduar më tej pozitën fermerëve, duke i shtyrë drejt falimentimit total. Ky është një skandal i paprecedent, që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të Rajonit”, tha ajo.
Më tej shtoi se asnjë vend tjetër në Ballkanin Perëndimor nuk është përballur me një ndëshkim të tillë financiar dhe politik nga Bashkimi Europian për shkak të abuzimeve dhe mungesës së transparencës.
Deklarata e Zv/Sekretares së Përgjithshme të Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu:
“Bashkimi Europian ka konfirmuar zyrtarisht ndërprerjen e 112 milionë euro grante për Bujqësinë shqiptare. Bëhet fjalë për fonde dhuratë, pa asnjë detyrim kthimi, të cilat ishin të destinuara për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe mbështetjen e fermerëve e agropërpunuesve shqiptarë. Por sot ato janë bllokuar dhe pezulluar pa afat, për shkak të abuzimeve të rënda dhe mungesës totale të transparencës nga autoritetet shqiptare. Bllokimi i fondeve IPARD është aktakuza më e rëndë që një vend që aspiron anëtarësimin në BE mund të marrë për mënyrën se si qeveris dhe keqpërdor fondet publike dhe ndërkombëtare.
Ky është një skandal i paprecedent, që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të Rajonit. Asnjë vend tjetër në Ballkanin Perëndimor nuk është përballur me një ndëshkim të tillë financiar dhe politik nga Bashkimi Europian për shkak të abuzimeve dhe mungesës së transparencës.
Serbia, përfiton çdo vit 280 milionë euro nga programet e BE për Bujqësinë, ndërsa Shqipëria humbet fondet për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë për të garantuar administrimin e ndershëm dhe të drejtë të tyre.
Dy vite kanë kaluar pa asnjë mbështetje për Bujqësinë dhe fermerët shqiptarë, ndërsa edhe dy vitet e ardhshme janë në rrezik të përsëritin të njëjtën histori – zero fonde, zero zhvillim.
Kërkesa e Bashkimit Evropian është e qartë: hetim dhe përgjegjësi për zhdukjen e 35 milionë euro që duhej të shkonin për fermerët dhe përpunuesit vendas. Qeveria e Edi Ramës, jo vetëm që nuk ka bërë asnjë përpjekje për të hetuar zhdukjen e fondeve, por përkundrazi ka rënduar më tej pozitën fermerëve, duke i shtyrë drejt falimentimit total.
Në vend që qeveria të reflektojë dhe të marrë masa për të ndihmuar fermerët dhe prodhuesit e vegjël ka zgjedhur t’i godasë edhe më fort:
U ka vendosur detyrime absurde për certifikime të kushtueshme, për fiskalizim dhe për burokraci të papërballueshme, pa ofruar asnjë ndihmë financiare.
U kërkon të modernizohen, të investojnë dhe të dalin në treg, por në të njëjtën kohë i ka përjashtuar nga çdo fond mbështetës, sepse fondet që duhet të shkojnë për ta, përfundojnë te klientët e pushtetit dhe oligarkët pranë qeverisë.
U kërkon standarde europiane, ndërkohë që u ofron vetëm pengesa dhe dështim institucional.
Në vend që të jepte përgjigje dhe të mbante përgjegjësi, qeveria shqiptare zgjodhi të mashtrojë fermerët me premtime boshe, me skema të ashtuquajtura “kredi sovrane”, të cilat as nuk ekzistojnë në praktikë, as nuk janë ndihmë reale për bujqësinë, por thjesht propagandë.
Sot, Bujqësia shqiptare po shkon drejt kolapsit total. Shqipëria është sot vendi me buxhetin më të ulët në Evropë për bujqësinë. Në të njëjtën kohë, fermerët shqiptarë paguajnë TVSH-në më të lartë në kontinent për prodhimet e tyre,
Kjo është një politikë e qëllimshme e shkatërrimit të fshatit dhe prodhimit vendas, që i shërben vetëm interesave të importuesve të mëdhenj dhe oligarkëve të lidhur me pushtetin.
Kjo qeveri e ka kthyer bujqësinë në një sektor të braktisur, pa të ardhme, ndërkohë që fermeri shqiptar është lënë mes kostove në rritje, pamundësisë për të investuar dhe mungesës së tregjeve të ndershme.
Partia e Lirise e ka zhvillimin e bujqësisë dhe mbështetjen e fermerit priritet kryesor të saj. Mbështetja për fermerin është më shumë se një politikë ekonomike , është një strategji kombëtare për mbijetesën dhe forcimin e Shqipërisë. Një vend që nuk siguron ushqimin e vet, është i varur nga importet dhe i ekspozuar ndaj krizave globale, çmimeve të larta dhe presioneve të huaja. Investimi në bujqësi do të thotë rritje ekonomike, vende pune në fshat, stabilitet social dhe forcim i sovranitetit ekonomik.
Prandaj, një qeveri që e ka seriozisht zhvillimin e vendit, e ka bujqësinë jo në fund të prioriteteve, por në krye të tyre”.
Komente

Te hetohen ku shkuan fondet?! Dihet ku shkuan,i morri /Shoqja BUQE nga fshati/ e ndertoi bujtine,po sa /shoqe e shoke/ te tille kemi!!
PërgjigjuKjo është Partia e Leshit, e hajdutërisë.
Përgjigju