Politikë

Partia e Lirisë: Diploma në Shqipëri nuk është derë për punësim, por biletë për largim! 22,9% e të rinjve me arsim të lartë janë të papunë

18 Gusht, 11:47| Përditesimi: 18 Gusht, 12:15

  • Share

Partia e Lirisë denoncoi sot gjendjen e arsimit në Shqipëri dhe braktisjen e vendit nga të rinjtë e papunë edhe pse të diplomuar, pasi nuk kanë alternativa në vend.

Duke iu referuar shifrave zyrtare, zëdhënësja e kryetarit të subjektit politik, Jasmira Memelli, tha se të dhënat më të fundit zyrtare të INSTAT janë tronditëse, ku 22.9% e të rinjve me arsim të lartë janë të papunë, krahasuar me një vit më parë kur për të njëjtën periudhë kjo shifër ishte 18.6%.

Ajo e cilësoi një dështim të qeverisë, duke theksuar se:

“Diploma në Shqipëri nuk është derë për punësim, por biletë për largim”.

Memelli vuri në dukje edhe nivelin e ulët të pagave, mungesën e kushteve, trajtimin e të rinjve si barrë dhe jo si potencial.

Ajo tha se Partia e Lirisë ka një plan dhe vizion, që të rinjtë të mos e braktisin më vendin e tyre.

Deklarata e plotë e zëdhënëses së kreut të PL, Jasmira Memelli:

“Diploma në Shqipëri nuk është derë për punësim, por biletë për largim.

Të dhënat më të fundit zyrtare të INSTAT janë tronditëse, 22.9% e të rinjve me arsim të lartë janë të papunë, krahasuar me një vit më parë kur për të njëjtën periudhë kjo shifër ishte 18.6%.

Nga viti në vit, Shqipëria po shndërrohet në një "prodhues të braktisjes së trurit", ku rinia me formim universitar nuk gjen as punë dhe as perspektivë.

Ky është rezultati i dështimit sistematik të qeverisë, që për një dekadë ka kthyer arsimin në një ndërmarrje formale pa lidhje me tregun e punës, pa mbështetje, pa vlerësim, pa orientim profesional dhe pa përgjegjësi.

Si rrjedhojë, kjo grup-moshë po braktis vendin, sepse nuk ka vende pune në përputhje me kualifikimin, pasi  Universitetet prodhojnë diploma, por jo profesione të nevojshme. Të rinjtë diplomohen për të pritur, jo për të ndërtuar.

Sepse trajtohen si barrë dhe jo si potencial, pasi Shteti nuk ka strategji kombëtare për të mbështetur punësimin e të diplomuarve as në administrate dhe as në sektorin privat.

Sepse paguhen me paga poshtë minimumit jetik edhe kur gjejnë punë. Shumë të rinj me arsim të lartë shfrytëzohen me kontrata pa të drejta, pa sigurime dhe pa të ardhme.

Sepse nuk ndihen të përfaqësuar, pasi politikat publike nuk i përfshijnë, nuk i dëgjojnë dhe as nuk i motivojnë. Rinia po ikën jo vetëm për një rrogë më të mirë, por për një jetë me më shumë respekt dhe dinjitet.

Përballë kësaj krize kombëtare, përvec programit të saj, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, ku 1 ndër 5 prioritetet madhore është edhe arsimi, Partia e Lirisë do të dorëzojë në shtator në Kuvend një projektligj për rritjen e financimit të arsimit në masën 5% të PBB-së.

Ky nuk është një numër, por një rrugëdalje kombëtare, që do të mundësojë modernizimin e universiteteve dhe lidhje direkte me tregun e punës.

Zhvillimin e arsimit profesional dhe teknik, për të ulur hendekun mes diplomës dhe ekonomisë reale si dhe krijimin e qendrave të karrierës dhe inkubatorëve të start-up-eve, ku të rinjtë të mbështeten financiarisht për të mos ikur, por për të krijuar këtu.

Për situatën ku ndodhet arsimi sot dhe krizën e punësimit të të diplomuarve, përgjegjësia politike është e qartë:

Qeveria ka shkatërruar besimin e brezit të ri, ka kthyer universitetet në vende ceremonialë dhe të rinjtë në “kandidat për ikje”. Nuk ka më asnjë alibi për këtë katastrofë morale dhe ekonomike.

Ndaj ne kemi një thirrje për të rinjtë, mos e lemë vendin në duart e një politike që ju përjashton, që shet propagandë dhe blen heshtje të përcaktojë fatin tuaj!

Partia e Lirisë ka një plan, një vizion dhe një vendim të palëkundur, të ndalojmë largimin, të nxisim qëndrimin dhe  të investojmë tek të rinjtë”.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?