Partia e Lirisë ankohet se në Durrës, studentët po përballen me vështirësi strehimi, sepse nuk ka asnjë konvikt për ta. Anisa Ibraj, anëtare e këshillit bashkiak, thotë se as Karta e studentit nuk u shpërnda në Durrës, duke i lënë studentët pa asnjë lehtësi.
Deklarata e anëtares së Këshillit Bashkiak në bashkinë e Durrësit, Anisa Ibraj
Në një kohë kur Shqipëria flet për integrim, për zhvillim dhe për rritje, mijëra studentë në Durrës përballen me një realitet krejt tjetër , atë të mungesës së kushteve, të papërgjegjësisë institucionale dhe të mungesës së vullnetit politik për të garantuar dinjitetin e tyre.
Në Durrës, janë mijëra studentë që studiojnë në universitet publik, por që jetojnë pa asnjë mbështetje konkrete. Qyteti ynë, që duhet të ishte model për arsimin e lartë, nuk ka asnjë konvikt funksional që të strehojë studentët.
Të rinjtë janë të detyruar të paguajnë qira të papërballueshme, shpesh duke ndarë dhoma në kushte minimale, ndërsa familjet e tyre sakrifikojnë çdo muaj për t’u mundësuar një arsim që në teori duhet të jetë publik.
Ndërkohë, karta e studentit, e premtuar prej vitesh, nuk është shpërndarë ende në Durrës. Studentët e këtij qyteti nuk kanë asnjë lehtësi për transport, libra dhe sherbimet e perditeshme, ndonëse në çdo dalje publike dëgjojmë premtime për “përkujdesje ndaj rinisë”.
Kjo mungesë është një simbol i qartë i dështimit te qeverise dhe i diferencimit që po u bëhet të rinjve të këtij qyteti.
Si është e mundur që në vitin 2025, në një nga qendrat më të guy mëdha universitare të vendit, studentët ende presin një të drejtë elementare që duhej të ishte zbatuar prej kohësh?
Statistikat e arsimit të lartë në Shqipëri janë alarmante. Vetëm në pesë vitet e fundit, numri i studentëve në universitetet publike është ulur me rreth 19 për qind.
Shume programe studimi janë mbyllur plotësisht për mungesë aplikantësh, ndërsa të tjera po rrezikojnë të ndjekin të njëjtin fat.
Kjo tregon qartë se sistemi arsimor po humbet lidhjen me tregun e punës, por edhe me realitetin social të të rinjve.
Në këtë realitet, qeveria dhe institucionet vendore kanë zgjedhur të heshtin, duke u kthyer shpinën të rinjve që janë e ardhmja e vendit.
Duhet te ndërtojmë politika që i mbajnë studentët këtu dhe jo të shtyjmë ata drejt emigrimit. Po humbim brezat më të arsimuar, më të aftë dhe më të motivuar, sepse shteti nuk po i ofron as mundësinë minimale për të jetuar me dinjitet.
Si anëtare e Këshillit Bashkiak të Durrësit, ndjej detyrimin qytetar të ngre zërin për këtë situatë.
Bashkia duhet të jetë pjesë aktive e zgjidhjes, jo thjesht vëzhguese.
Duhet të kërkohet bashkëpunim institucional me qeverinë për zbatimin e menjëhershëm të kartës së studentit, për subvencione në transport dhe për krijimin e fondeve lokale të ndihmës studentore. Nuk mjafton të flitet për rini, duhet të veprohet për ta.
Faleminderit!
Komente
