Partia e Lirisë ka akuzuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn për vështirësinë e lëvizjes së qytetarëve që përdorin transportin publik në kryeqytet. Sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PL, Silva Caka, tha se mosrespektimi i orareve dhe mosndalimi i autobusëve në stacione, tashmë është bërë e zakonshme.
Nëpërmjet një deklarate për mediat, Caka tha se bashkia e Tiranës nuk duhet të merret me gjobitjen e linjave të transportit urban por me mirëfunksionimin e shërbimit në mënyrë që qytetarët të marrin shërbimin e ofruar.
“Mijëra qytetarë të Tiranës përballen çdo ditë, nga mëngjesi deri në darkë vonë, me plagën e një transporti publik inefiçent dhe primitiv, që ua rëndon së tepërmi përditshmërinë e tyre. Kanë kaluar 10 vite dhe megjithë premtimet dhe kronikat pafund mashtruese të Erion Veliajt, situata vazhdon të jetë po e njëjta. Çdo ditë në mëngjes, mijëra qytetarë ngjeshen nëpër autobuza dhe mijëra të tjerë presin për një kohë të gjatë në stacion, ardhjen e autobuzave. Mosrespektimi i orareve dhe mosndalimi në stacione i autobuzave, është bërë e zakonshme dhe këto pasoja i heqin qytetarët.
Pothuajse të gjitha linjat urbane të Tiranës kanë paraqitur të njëjtat probleme dhe Bashkia e Tiranës, në mënyrë të paturp, bën sikur i gjobit me nga 3 mijë apo 5 mijë lekë të reja, ndërkohë që këto linja kanë të bëjnë me komunikimin e qytetarëve me çdo pjesë të Tiranës”- u shpreh Caka.
Më tej ajo tha se zgjidhja e vetme për mirëfunksionimin e transportit urban në Tiranë do të ishte largimi i Veliajt nga kreu i bashkisë në zgjedhjet lokale të 14 majit.
“Kjo plagë e Tiranës, e cila është kthyer në një ankth të përditshëm për çdo qytetar, nuk ndryshoi në 10 vite të qeverisjes rilindase, ndaj asnjë qytetar nuk mund të gënjehet më me asnjë lloj demagogjie dhe propagande, apo shoë-t të pështirë të videokasetave teatrale të Erion Veliajt. Bashkia e Erion Veliajt dhe Policia e saj në vend që t’u vendosë dhjetëra mijëra gjoba automjeteve private në Tiranë, të dalë e të inspektojë nga mëngjesi deri në darkë linjat e urbanëve, që ata të funksionojnë normalisht, se këtë kërkojnë qytetarët e Tiranës.
Zgjidhja e vetme e kësaj plage dhe ankthi të përditshëm të qytetarëve me transportin urban, do të vijë vetëm pas 14 majit me largimin e Erion Veliajt dhe të rilindasve e patronazhistëve të tij nga Bashkia e Tiranës, duke krijuar më së fundi atë transport urban që qytetarët e Tiranës meritojnë e për të cilin paguajnë miliona e miliona euro taksa”-përfundoi Caka.