Politikë

Partia e Lirisë flet me gjuhën e Berishës, Blushi për raportin e PE: Europa damkosi farsën elektorale të Ramës, vota vdiq pa hyrë në kuti!

9 Korrik, 15:37| Përditesimi: 9 Korrik, 16:10

  • Share

Partia e Lirisë e sheh ndryshe raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë. Sekretari i Përgjithshëm i saj, Tedi Blushi, doli me një deklaratë për mediat sot, duke deklaruar se Europa pohoi qartë se me Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe 11 maji nuk ishte as i ndershëm dhe as demokratik.

Duke përdorur të njëjtën gjuhë si kreu i PD-së, Sali Berisha, numri dy i PL-së tha se “eurodeputetët damkosën kryeministrin Rama si autorin e farsës dhe masakrës elektorale”.

“11 Maji ishte një ditë terrori elektoral, që faktoi vrasjen e votes së lirë pa hyrë në kuti. Një operacion banditesk shtetëror që faktoi edhe asgjesimin e të gjitha institucioneve garante për standardet e zgjedhjeve”, tha Blushi mes të tjerash, duke bërë thirrje ndaj qytetarëve që të ngrihen për votën e lirë.

Deklarata e plotë e Tedi Blushit:

"E gjithë Europa e lirë dhe demokratike, foli sot qartë, prerë dhe shqip se “Zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri nuk ishin as të ndershme, as të lira, dhe as demokratike”.

Përpjekjes kriminale të Edi Ramës për të paraqitur farsën dhe terrorin elektorale të 11 majit si një proces demokratik, më në fund iu dha një shuplakë e fortë nga institucioni më autoritar i kontinentit: Parlamenti Europian.

Eurodeputetët më me peshë, kreu i misionit të vëzhguesve të Parlamentit Europian, Michael Gahler, David McAllister, një nga zërat më të rëndësishëm të politikës së jashtme europiane dhe Andrey Kovatchev e damkosën botërisht Edi Ramën si autorin e masakrës elektorale në vendin tonë.

Michael Gahler e tha troç: “Zgjedhjet nuk ishin të barabarta dhe qeveria abuzoi.”

David McAllister i vendosi vulën: “Zgjedhjet nuk ishin të ndershme.”

Kovatchev e zhbëri propagandën: “Nuk ka ndarje pushtetesh dhe nuk ka zbatim të shtetit të së drejtës.”

Këto nuk janë thjesht opinione. Janë akt-akuza të rënda ndërkombëtare ndaj një regjimi që ka uzurpuar shtetin, ka përdhosur çdo standard të zgjedhjeve të lira, ka kontrolluar votën me patronazhimin, kërcënimin dhe blerjen e saj, me presionin ndaj administrates, keqpërdorimin e aseteve shtetërore dhe përdorimin kriminal të burimeve publike, pa harruar angazhimin masiv të bandave dhe karteleve më të rrezikshme.

11 Maji ishte një ditë terrori elektoral, që faktoi vrasjen e votes së lirë pa hyrë në kuti. Një operacion banditesk shtetëror që faktoi edhe asgjesimin e të gjitha institucioneve garante për standardet e zgjedhjeve:

KQZ-së që pajisi me bejxha vëzhgimi bandidët elektorale që morrën peng qendrat e votimit;

SPAK-ut, që me Task Forcën imagjinare goditi vetëm opozitën, as parandaloi dhe as po heton krimet zgjedhore, që i la të lirë krerët e grupeve kriminale gjoja për t’i ndaluar pasi grabitën zgjedhjet dhe që i vulosi standardet e procesit elektorale me rrëmbimin terrorist të Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta

Policinë e Shtetit, e bërë njësh me banditët dhe grupet më të rrezikshme kriminale dhe që shërbeu thjesht si eskortë e tyre.

Tanimë e gjithë Europa po flet troç se me Edi Ramën Kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme por vetëm një proces të simuluar nga regjimi që kontrollon gjithçka – policinë, drejtësinë, median, administratën, tenderat dhe votën.

Edi Rama është sot rreziku më i madh për demokracinë shqiptare. Ai ka instaluar një kleptokraci autokratike, ku pakica sundon me arrogancë shumicën, ku çdo instrument i shtetit është kthyer në një vegël për të ruajtur pushtetin personal, ku qytetarët ndëshkohen nëse nuk binden dhe shpërblehen nëse heshtin.

Zgjedhjet e lira e kanë humbur kuptimin në Shqipërinë e Ramës. Asnjë qytetar nuk beson më se me Edi Ramen Kryeminister vota e tij ka vlerë dhe asnjë institucion nuk ekziston më për të garantuar standardet zgjedhore.

Kjo është diktaturë hibride, qe mediat me prestigjioze nderkombetare e kane cilesuar si regjimi i "Ramaduros".

Tanime kjo nuk është më thjesht çështje e brendshme. Europa po reagon sepse rënia e demokracisë në Shqipëri është një kërcënim real për stabilitetin rajonal dhe integritetin e vetë Bashkimit Europian.

Çdo ditë që Edi Rama qëndron në pushtet është një ditë tjetër që Shqipëria largohet nga Europa dhe zhytet më thellë në autokraci, korrupsion dhe izolim.

Pa ndarje të pushteteve, pa drejtësi të pavarur, pa media të lirë, pa transparence e llogaridhenie, pa administratë të çliruar nga patronazhistët, Shqipëria nuk do të ketë as demokraci, as Europë.

Është koha për një lëvizje kombëtare për rikthimin e demokracisë dhe për një përballje të madhe me regjimin e "Ramaduros" që ka poshtëruar çdo shqiptar të lirë e të ndershëm dhe ka tradhtuar aspiratat europiane të vendit".

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Raporti i KE, si e vlerësoni punën e drejtësisë në Shqipëri?