Partia e Lirisë ka 6 propozime për të përballuar rritjen e çmimeve. PL sugjeron indeksim pagash, rritje të pagave dhe pensioneve, uljen e TVSH-së për produktet e konsumit, mbështetje financiare me të paktën 50-70 euro në muaj për çdo qytetar mbi 18 vjeç, mbështetje me paketa financiare për turizmin, pezullim i taksës së qarkullimit dhe të karbonit. Këto propozime i bëri publike Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi, përmes një deklarate për shtyp, të hënën.
“Sot shqiptarët e blejnë naftën më shtrenjtë se ukrainasit që janë në luftë”, deklaroi Blushi, ndërsa i bëri apel drejtorive të tatimeve për të mos vënë gjoba “me urdhër të partisë”.
Tedi Blushi akuzoi qeverinë për shtrenjtimin e çmimeve, fenomen që po vë në vështirësi familjet shqiptare.
“Shtrenjtimi abuziv i çmimeve të ushqimeve po ul ndjeshëm konsumin dhe po thellon seriozisht varfërinë, duke rrënuar më shumë buxhetet familjare, në veçanti pensionistët dhe shtresat më në nevojë”, u shpreh ai.
Kjo deklaratë vjen në ditën e publikimit nga INSTAT të të dhënave që inflacioni në muajin korrik ka shkuar 7,5% nga 2,2% që ishte në korrik 2022.