Partia e Lirisë njoftoi sot (28 nëntor) se ka depozituar në Kuvend 11 amendamentet e saj në lidhje me Buxhetin e viti 2025, që është parashikuar të kalojë përfundimisht në Parlament në seancën plenare të 3 Dhjetorit, teksa dje mori edhe miratimin nen për nen në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.
Në 11 amendamentet e propozuara kërkohet një shtesë prej mbi 45 mld lekësh në total.
Nënkryetarja e PL, Erisa Xhixho, e cilësoi një “buxhet antisocial të qeverisë” dhe që “i varfëron akoma më shumë qytetarët shqiptarë” të prekur nga kriza e çmimeve.
Xhixho shprehet se qeveria do ia japë ‘pjesën e luanit’ klientëve të saj, duke lënë pa mbështetje pensionistët dhe shtresat në nevojë. Theksohet se 777,2 mld lekë do shkojnë për projektet korruptive PPP dhe sektorë si arsimi dhe shëndetësia nuk buxhetohen.
“Ndërsa pensionistët tallen me një rritje 25 lekë në ditë dhe shtresat në nevojë injorohen, buxheti i vitit të ardhshëm nuk do të sjellë shërbim shëndetësor më të mirë, arsim më cilësor, rritje pagash apo mbështetje për fermerët”, tha Xhixho.
Në fund ajo paraqit edhe 11 amandementet, që nënvizon se nuk i shërbejnë “oligarkëve të Edi Ramës”.
Xhixho propozoi shtesa fondesh për pensionet me 16,2 mld lekë, 6 mld lekë për rimbursimin e barnave, 2 mld për aparaturat onkologjike, po kaq për kërkimet shkencore, 1,5 mld lekë për arsimin bazë, 1,2 mld për arsimin e mesëm dhe 1 mld lekë për atë Universitar. Gjithashtu 5,6 mld lekë për Përkujdesin social, të papunët, personat me aftësi të kufizuar, 1,5 mld për subvencionet e Bujqësisë e fermerët, si dhe 7,9 mld lekë për rritjen e pagave që nga nisja e vitit 2025.
Deklarata dhe 11 amendamentet e depozituara në Kuvend nga partia e Lirisë:
“Buxheti i vitit 2025 varfëron akoma më tej qytetarët e prekur nga kriza e çmimeve. Qeveria do t’u japë pjesën e luanit klientëve të saj, duke lënë pa mbështetje pensionistët e shtresat në nevojë. Plot 777.2 miliard lekë të shkojnë për projektet korruptive PPP, ndërsa sektorë si arsimi dhe shëndetësia nuk buxhetohen.Ndërsa pensionistët tallen me një rritje 25 lekë në ditë dhe shtresat në nevojë injorohen, buxheti i vitit të ardhshëm nuk do të sjellë shërbim shëndetësor më të mirë, arsim më cilësor, rritje pagash apo mbështetje për fermerët.
Duke e konsideruar buxhetin e ri si buxheti më antisocial i sjellë ndonjëherë në Parlament, Partia e Lirisë ka përgatitur 11 amendamente, me bindjen se përmes tyre, buxheti të vihet në shërbim të qytetarëve dhe jo siç është planifikuar nga qeveria: në shërbim të klientëve dhe oligarkëve të Edi Ramës.
1- Rritje të mbështetjes për pensionet me 16.2 miliard lekë, ndryshe nga rritja qesharake e Qeverisë e parashikuar me vetëm 1.6 miliard lekë