Referuar të dhënave të INSTAT për rënien e lindshmërisë në vend, Partia e Lirisë bën fajtore qeverinë për mungesë të politikave sociale për familjet dhe të rinjtë.
Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim në këtë subjekt, Myrvete Asqeri, doli sot me një deklaratë nga selia, ku kritikoi qeverinë dhe e bëri fajtore për situatën sociale.
Sipas saj, “edhe vetë instituti i statistikave të Ramës, INSTAT, pohon dramën e shpopullimit”.
Asqeri tha se në periudhën 2023-2024 vendi ka humbur 29 mijë të rinj dhe sipas PL, kjo është ‘axhendë sorosiane dhe antikombëtare’.
“Nëse nuk merren masa të menjëhershme dhe afatgjata, ndryshimet që do të imponojë realiteti demografik do të jenë shumë më të kushtueshme sesa çdo investim që mund të bëhet sot. Kjo Narkoqeveri është përgjegjësja e vetme për shuarjen graduale të shpresës dhe të vetë të ardhmes së këtij vendi”, tha ajo mes të tjerash.
Gjithashtu edhe shifrat e lindshmërisë sipas saj, janë në rënie, ku viti 2023 regjistroi 23 mijë lindje më pak, shifra më e ulët historike kjo.
Deklarata e plotë e Myrvete Asqerit nga PL:
"Edhe vet instituti i statistikave të Edi Ramës INSTAT, pohon vijim e dramës së madhe të shpopullimit.
Vetëm në harkun kohor të një viti, nga 2023 në 2024, Shqipëria ka humbur 29 mijë të rinj, një shifër dramatike, që flet për një realitet të hidhur, popullsia e re po zhduket nga Shqipëria, jo për shkak të ndonjë katastrofe natyrore apo konflikti të armatosur, por si rezultat i axhendës sorosiane antikombetare të shpopullimit.
Sot kemi më pak të rinj, më pak lindje dhe më shumë emigracion se kurrë më parë. Rënia e lindshmërisë ka arritur nivele kritike. Në vitin 2023 janë regjistruar më pak se 24 mijë lindje në të gjithë vendin, një nga nivelet më të ulëta historike. Shqipëria po hyn zyrtarisht në epokën e tkurrjes demografike. Familjet shqiptare nuk po sjellin më fëmijë jo sepse nuk duan, por sepse nuk kanë siguri ekonomike, sociale dhe institucionale. Të rinjtë nuk ndërtojnë më familje në Shqipëri sepse nuk shohin të ardhme.
Në anën tjetër, emigracioni vazhdon me përmasa të frikshme. Rinia shqiptare po largohet në mënyrë masive drejt vendeve të BE-së dhe më tej. Në vend që të ndërtojë politika që e mbajnë rininë këtu, qeveria mjaftohet me slogane boshe dhe propagandë televizive. Në vend që të hapen vende të reja pune me dinjitet, të ofrohet strehim i përballueshëm dhe arsimi të jetë cilësor, qeveria shpenzon për beton dhe fasada.
Pasojat e kësaj keqqeverisje, që po detyron rininë të marri rrugët e emigrimit, po ndihen që sot, kemi më pak nxënës në shkolla, më pak punëtorë në tregun e punës, më shumë barrë mbi një popullsi gjithnjë e më të plakur. Nëse ky ritëm vazhdon, Shqipëria do të detyrohet të importojë fuqi punëtore, të ndryshojë rrënjësisht sistemin e pensioneve, dhe të përballet me pasoja të paimagjinueshme sociale e ekonomike.
Rënia e lindshmërisë dhe emigracioni nuk janë procese natyrore, janë simptoma të një sistemi që nuk funksionon. Janë pasqyrim i mungesës së politikave familjare, mungesës së perspektivës dhe mungesës së dinjitetit për qytetarët e këtij vendi. Dhe më e rënda është se qeveria i sheh këto si statistika, jo si thirrje për ndryshim.
Nëse nuk merren masa të menjëhershme dhe afatgjata, ndryshimet që do të imponojë realiteti demografik do të jenë shumë më të kushtueshme sesa çdo investim që mund të bëhet sot. Kjo Narkoqeveri është përgjegjësja e vetme për shuarjen graduale të shpresës dhe të vetë të ardhmes së këtij vendi.
Ky është një alarm kombëtar, jo një debat politik. Politikat për nxitjen e lindshmërisë, për mbështetjen e familjes, për rininë dhe ndalimin e emigracionit nuk janë luks, janë domosdoshmëri dhe Partia e Lirisë këto politika i ka konkretizuar në programin e saj, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, ku fokusi kryesor është ndalimi i shpopullimit dhe fuqizimi i familjes duke i dhënë kështu fund dramës së madhe të shpopullimit që është kthyer tashmë në një plagë të hapur për Shqipërinë".
Komente
