Partia e Lirisë ka dënuar aksionin e IKMT dhe Policisë së Shtetit ndaj banorëve të zonës së Thethit në Shkodër, duke fajësuar kryeministin Edi Rama se qëndron në krye, kurse si qëllim ka që t’i shërbejë oligarkëve dhe klientëve të tij.
Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi, doli sot në një deklaratë për mediat, ku teksa publikoi ehde pamje nga situata në Theth, akuzoi Ramën se pasi u bëri premtimet për legalizim, pas zgjedhjeve të 11 majit po u shëmb edhe ndërtimet, në kulmin e sezonit turistik.
Ai shprehu solidaritetin me banorët e zonës dhe i bëri thirrje autoriteteve që të “ndalin terrorin shtetëror”.
Deklarata e plotë e Tedi Blushit:
“Çizmja e pushtetit dhe fadromat e tiranisë të regjimit të “Ramaduros” prej ditësh po ushtrojnë një terror shtetëror të paprecedent ndaj banorëve të Thethit.
Vendimi i Edi Ramës për t’i shpallur luftë një komuniteti që kërkon vetëm të jetojë dhe të punojë në paqe në tokën e vet, është dëshmia më tronditëse e instalimit të një junte policore, shtypëse, kriminale dhe antikombëtare, që në kulmin e sezonit turistik, në vend të promovojë një nga perlat natyrore të Shqipërisë, po promovon turizmin e kallashnikovëve dhe fadromave.
Edi Rama, kjo qenie e pabesë dhe e paturp, që në adn ka mashtrimin, u premtoi banorëve të Thethit para zgjedhjeve se do u legalizonte pronat e do u falte edhe taksat, ndërsa tani kur zgjedhjet mbaruan u dërgon fadromat.
Pamjet nga Thethi, ku pushteti ka zbritur me makina të blinduara, kallashnikovë dhe fadroma si në një fushë beteje, janë dëshmia më e qartë e një regjimi që ka humbur çdo kontakt me realitetin dhe çdo ndjenjë përgjegjësie ndaj qytetarëve. Ato nuk përfaqësojnë shtetin ligjor, por një juntë të verbër që përdor dhunën për të shuar çdo zë kundërshtie, për të kontrolluar çdo pëllëmbë toke dhe për të shkelur me çizmen e pushtetit çdo normë demokratike
Drejtimi i automatikëve ndaj banorëve që po mbrojnë pronat e tyre është dhunë e mirëorganizuar për të mbuluar terrorin elektoral të 11 Majit. Është akt i pastër kriminal për të shuar me dhunë çdo zë kundërshtues, për të shtypur komunitete patriotike që nuk kanë kërkuar asgjë më shumë përveçse të ruhen, të mbrohen dhe të zhvillohen në paqe.
Partia e Lirisië, duke shprehur solidaritetin e thellë me të gjithë banorët e Thethit, bën thirrje të ndalet urgjentisht çdo formë e ndërhyrjes brutale policore dhe urbanistike me armë në dorë, si dhe të nisin hetimet penale për urdhërdhënësit dhe autorët e këtij sulmi kundër qytetarëve të pambrojtur.
Thethi meriton të jetë zemra e turizmit malor shqiptar dhe jo një vend ku dërgohen tanke civile për të shuar zërin e njerëzve që nuk përkulen. Kur një shtet i drejton armët kundër popullit të vet – ai nuk është më shtet. Është regjim represiv dhe duhet përballur si i tillë. Nëse sot është Thethi, nesër do të jetë shtëpia jote, çdo fshat dhe çdo qytet i Shqipërisë, ku më nuk do të mbizotërojë ligji por junta e kallashnikoëve dhe buldozerave kriminale që do shkatërrojnë dhe rrëmbejnë pronat e qytetarëve, për llogari të oligarkëve dhe klientëve të Edi Ramës”.
Komente
