Partia e Lirisë ka denoncuar atë që e quan propagandë të qeverisë me pensionistët. Zëdhënësja Jasmira Memelli tha në një deklaratë për mediat se pensionistët po përdoren si mjet elektoral, duke u dhënë bonuse të vogla vetëm para zgjedhjeve, të cilat nuk mbulojnë as një faturë mujore ilaçesh.
Sipas saj, Shqipëria qëndron në vendin e fundit mes vendeve evropiane për nivelin e pensioneve.
"Shqipëria mban vendin e fundit në Europë mes 35 vendeve europiane, për nivelin e pensioneve, me vetëm 1.600 euro në vit për pensionist, krahasuar me mesataren europiane prej 16.100 euro. Ndërkohë që BE shpenzon rreth 9.3% të PBB-së për pensionet, Shqipëria shpenzon vetëm 5.3%, duke lënë pensionistët në mjerim dhe pasiguri.", u shpreh ajo.
Deklarata e plotë:
Të dhënat e publikuara së fundmi janë një dëshmi e qartë e dështimit të kësaj qeverie për të mbrojtur dhe vlerësuar më të moshuarit e vendit. Shqipëria mban vendin e fundit në Europë mes 35 vendeve europiane, për nivelin e pensioneve, me vetëm 1.600 euro në vit për pensionist, krahasuar me mesataren europiane prej 16.100 euro. Ndërkohë që BE shpenzon rreth 9.3% të PBB-së për pensionet, Shqipëria shpenzon vetëm 5.3%, duke lënë pensionistët në mjerim dhe pasiguri.
Ndërkohë Mali i Zi edhe pse me të njëjtën përqindje të PBB-së, pra 5.3%, arrin të japi 4.000 euro për pensionist në vit, më shumë se dyfishin e Shqipërisë.
Por më e turpshme është mënyra se si kjo qeveri i përdor pensionistët si mjet elektoral, duke u dhënë bonuse të vogla vetëm para zgjedhjeve, një lëmoshë që nuk mbulon as një faturë mujore ilaçesh. Ky është abuzim politik me dinjitetin e njerëzve që kanë punuar një jetë të tërë, që kanë ndërtuar këtë vend me sakrificë, por që kjo qeveri i trajton si numra për fletë votimi. Nuk mund të fshihet dështimi sistematik i politikave sociale me propogandë dhe oferta elektorale, duke e kthyer ne pazar të ulët politik.
Një shtet që lë të moshuarit të jetojnë me pensione më të ulëta se kufiri i varfërisë, nuk është shtet, por një strukturë e ftohtë pushteti që përdor çdo kategori shoqërore vetëm për interesa elektorale.
Në këtë dramë, qeveria ka preferuar inceneratorë që nuk ekzistojnë, PPP korruptive dhe favore klienteliste, duke ju mohuar pensionistëve edhe aty ku duhej të kishin më shumë përfitim, rritjen e vërtetë ekonomike, mirëqënie, kujdes shëndetësor dhe një jetesë me dinjitet.
Partia e Lirisë, në programin e saj 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, ju ka dhënë një fokus të vecantë pensionistëve duke i renditur si një nga 5 prioritetet madhore të saj.
Ky program paraqet një platformë të fortë ndryshimi, jo premtime, por masa reale, ligjore dhe humane për t’u kthyer dinjitetin pensionistëve duke Dyfishuar pensionet, për ti hequr ato nga kategoria "qesharake".
Indeksimin e pensioneve sipas inflacionit të artikujve ushqimorë, jo sipas algoritmeve propagandistike të qeverisë, si dhe mbulim financiar për ilaçet dhe shërbimet mjekësore .
Ne nuk do të lejojmë që propaganda e qeverisë të maskojë realitetin kriminal duke zhytur në varfëri gjyshërit tanë.
“Rilindja” nuk ka asnjë vlerë, kur harxhon taksat për luks pushtetarësh, ndërsa ata që kanë kontribuar në këtë vend, trajtohen pa dinjitet dhe pa vlerë.
Komente
