Partia e Lirisë denoncon politikat e qeverisë për subvencionimin e fermerëve, duke akuzuar se vendi është mbushur me grurë të importuar nga Serbia. Sipas zëvendës sekretares Brunilda Haxhiu, sistemet e vaditjes janë të degraduara dhe tregu po dominohet nga monopole dhe mungesë pikash grumbullimi.
"Kjo qeveri ka dështuar në menyrë sistematike në zhvillimin e bujqësisë. Subvencionet jepen me vonesa, në mënyrë selektive dhe pa transparencë. Fermerët shqiptarë marrin disa herë më pak ndihmë sesa fermerët në Kosovë, Maqedoni, Serbi apo Greqi. Kostot e inputeve bujqësore janë të papërballueshme.
Farërat, plehrat kimike, pesticidet, nafta dhe mekanika bujqësore janë kthyer në luks Qeveria refuzon të ndërhyjë me politika të subvencionuara për furnizimin e tyre.", u shpreh ajo,
Sipas saj, bujqësia ndodhet në një krizë të thellë në dekada dhe kjo është pasojë e modelit të dështuar të qeverisë.
Deklarata e plotë:
Ndërkohë që Shqipëria konsumon grurin e Serbisë, festa e grurit ne Pojan të Fierit eshtë festa e hipokrizisë ndaj bujqësisë!
Në fshatrat e Fierit, fermerët po përballen me dështim të plotë në kulmin e korrjes së grurit. Toka e mbjellë është përgjysmuar, rendimenti është ulur ndjeshëm, dhe kostoja e inputeve i ka çuar drejt falimentimit. Fermeri shqiptar sot nuk ka më as mbështetje, as shpresë.
Bujqësia shqiptare ndodhet në krizën më të thellë në dekada. Ajo nuk është viktimë e fatit, por pasojë direkte e një modeli qeverisës të dështuar, që ka injoruar fshatin, ka përbuzur fermerin dhe ka shkatërruar çdo shpresë për zhvillim të qëndrueshëm rural. Qeveria shqiptare feston “arritje” imagjinare në bujqësi, ndërkohë që fermerët janë të braktisur dhe të papërfaqësuar.
Kjo qeveri ka dështuar në menyrë sistematike në zhvillimin e bujqësisë. Subvencionet jepen me vonesa, në mënyrë selektive dhe pa transparencë. Fermerët shqiptarë marrin disa herë më pak ndihmë sesa fermerët në Kosovë, Maqedoni, Serbi apo Greqi. Kostot e inputeve bujqësore janë të papërballueshme. Farërat, plehrat kimike, pesticidet, nafta dhe mekanika bujqësore janë kthyer në luks
Qeveria refuzon të ndërhyjë me politika të subvencionuara për furnizimin e tyre.
Fermeri shqiptar prodhon me kosto më të lartë se kudo në Europë e Rajon. Sistemet e vaditjes janë të degraduara ose të zhdukura. Fushat përmbyten në dimër dhe thahen në verë. Fshatra të tëra janë të shkëputura nga tregu.
Prodhimet nuk transportohen dot dhe fermeri izolohet dhe detyrohet të dorëzohet përpara ndërmjetësit që e shfrytëzon.
Tregu është i dominuar nga monopole dhe mungesë pikash grumbullimi. Shteti nuk e mbron fermerin por e lë në mëshirë të tregut të egër. Ky është shkatërrim i qëllimshëm i potencialit bujqësor të vendit.
Ndërkohë, Bashkia e Fierit organizon festë për grurin, sikur bujqësia të ishte një sukses për t’u duartrokitur.
Ky është paradoksi shqiptar: kur fermeri shkon drejt greminës, pushteti feston. Kur toka braktiset, qeveria dekoron vetveten.
Bujqësia nuk ka nevojë për festa propagande, por për politika konkrete mbështetëse.
Sipas të dhënave të Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, prodhimi i grurit të fermerëve mesatarisht në vit arrin 60,000 deri në 70,000 tonë grurë, kurse sasia e importuar arrin 250,000 deri në 300,000 ton grurë në vit.
Burimet kryesore të importit ishin: Serbia dhe Rusia, që përbënin rreth 82% të totalit të grurit të importuar .
Pra, Shqipëria mbetet shumë e varur nga importet e grurit. Pjesa dërrmuese e grurit të përdorur vjen nga vendet ballkanike (Serbi, Rusi, Ukrainë), ndërsa importet e grurit të fortë për prodhime si pasta kanë burime të ndryshme, kryesisht nga Kanada.
Të bësh festë për grurin sot, është të tallesh me fermerin e braktisur.Festa e grurit është një ironi tragjike përballë rrënimit real të fermerit shqiptar.
Partia e lirisë është në krah të fermerëve të braktisur dhe ka prioritet të saj mbeshtetjen e bujqësisë me subvencione reale , pagesa direkte te fermeri, ulje e tvsh për prodhimet bujqësore. Kredi të buta për investime në infrastrukturë ,sera, magazinim dhe zinxhir prodhimi. Mbështetje finaciare dhe lehtësira fiskale për të rinjtë që do të investojnë në zonat rurale.
Shqipëria nuk ka nevojë për festime mashtruese mbi varrin e bujqësisë, por për një reformë të thellë dhe të ndershme që e sheh fermerin si aleat strategjik të zhvillimit ekonomik.
Shqipëria ka nevojë për një qeveri që ka politika konkrete per të zhvilluar bujqësinë duke e kthyer në fuqi prodhuese dhe eksportuese.
Shqipëria fuqi prodhuese dhe eksportuese ne rajon, prioriteti më i madh i 5 Prioriteteve të Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus është e vetmja zgjidhje për fermerin dhe prodhimin shqiptar.
Komente
