Duke bërë përgjegjëse qeverinë për çmimet e shtrenjta të ushqimeve në Shqipëri, edhe më të larta se pjesa më e madhe e vendeve evropiane, Partia e Lirisë prezantoi 4 pika të programit të saj, që do ta ndryshonin këtë realitet.
Deklarata e Zëdhënëses së Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli
Në vitin 2024, sipas të dhënave zyrtare të EUROSTAT, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të larta se në pjesën më të madhe të vendeve europiane!
Edhe pse Shqipëria ka pagat më të ulëta në Europë, qytetarët shqiptarë paguajnë 50% më shtrenjtë për ushqimet se sa qytetarët europianë.
Duke ju referuar EUROSTAT, shqiptarët shpenzojnë mbi 40% të të ardhurave mujore vetëm për ushqime.
Si është e mundur që në një vend ku pagat janë mizerabël, ku pensionet janë turp, ku ndihma ekonomike është qesharake, çmimet e ushqimeve të shportës janë më të shtrenjta se në Gjermani apo Austri?!
Sepse kemi një qeveri që ushqen varfërinë për të forcuar pushtetin!
Kjo nuk është ekonomi e tregut të lire, kjo është ekonomi e oligarkëve, është politikë shtetërore që ndëshkon të ndershmit dhe shpërblen klientët e pushtetit!
Ndërkohë që fermerët braktisen, prodhimi vendas rrënohet dhe toka mbetet djerrë, qeveria hap rrugën për importuesit monopolistë që i mbushin xhepat me punën dhe djersën e qytetarëve.
Për më shumë se një dekadë, ky regjim ka shkatërruar bujqësinë dhe fermerët shqiptarë, ka braktisur prodhimin vendas dhe ka përqafuar importet nga “miqtë e qeverisë”, ka krijuar një sistem monopolist që vendos çmime sipas interesave politikë, sepse nuk kanë frikë as nga ligji e as nga drejtësia.
Ndërkohë që në Europë TVSH-ja për ushqimet bazë është simbolike, në Shqipëri qytetari paguan 20% TVSH edhe për bukën!
Ndërkohë që vendet e rajonit ndihmojnë prodhuesit, në Shqipëri fermeri lë tokën bosh dhe ikën nga vendi!
Sot, qytetari shqiptar është viktimë e një regjimi që e vjedh në çdo dyqan, në çdo supermarket dhe në çdo treg.
Partia e Lirisë ka një qëndrim të qartë dhe të panegociueshëm:
Ulje urgjente të TVSH-së për ushqimet bazë.
Subvencione direkte dhe reale për bujqësinë dhe prodhimin vendas.
Kontroll dhe transparencë mbi çmimet në tregun ushqimor dhe konkurrencë e ndershme.
Fund ekonomisë së zhvatjes dhe importit të urisë.
këto janë edhe pikat kryesore që Partia e Lirisë ka përfshirë në programin e saj, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, ku qëllimi final është shndërrimi i Shqipërisë në fuqi prodhuese dhe eksportuese.
Komente
