Anisa Ibraj

Politikë

Partia e Lirisë: Sezoni turistik ka dështuar, propaganda e korrupsioni po shkatërrojnë imazhin dhe ekonominë e Durrësit

15 Gusht, 11:07| Përditesimi: 15 Gusht, 11:12

  • Share

Anëtarja e Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Durrësit, Anisa Ibraj thotë se sezoni turistik ka dështuar. Në një deklaratë për mediat nga selia e partisë, ajo përmend ndotjen e rëndë të detit nga ujërat e zeza, mungesën e sigurisë në plazhe, rritjen e çmimeve dhe shërbimet e dobëta, si dhe betonizimin si faktorë që kanë dëmtuar imazhin e qytetit bregdetar.

Ibraj akuzon qeverinë për propapagandë dhe bën thirrje për reagim qytetar, duke e cilësuar këtë gjendje si pengesë për integrimin në BE dhe si rrezik për ekonominë e Durrësit.

"Të gjitha këto kanë sjellë një pakësim të ndjeshëm të numrit të turistëve. Qeveria mundohet ta fshehë këtë realitet, sepse deri dje Kryeministri mburrej me shifrat e turizmit, ndërsa sot përpiqet të mbulojë dështimin me foto dhe video të sajuara nga lart me dron. ", tha ajo. 

Deklarata e plotë: 

Sezoni turistik 2025 ka dështuar me turp, duke u shndërruar në një shembull të qartë se si paaftësia, korrupsioni dhe propaganda mund të shkatërrojnë imazhin dhe ekonominë e një qyteti bregdetar si Durrësi.

Pamjet e ujërave të zeza që shpërthejnë në mes të plazhit dhe derdhen në det nuk janë incidente të rastësishme. Ato janë skandali i përditshëm që pushteti përpiqet ta fshehë. Çdo ditë, mijëra litra ujëra të ndotura derdhen në Adriatik, duke helmuar ujin ku lahen fëmijët, turistët dhe qytetarët tanë. Ky është një krim mjedisor dhe shëndetësor që rrezikon seriozisht jetën dhe mirëqenien e të gjithëve.

Por ndotja e ujit nuk është e vetmja plagë. Plazhet tona janë të pasigurta, pa roje shpëtimi, pa sinjalistikë dhe pa kontroll mbi aktivitetet në det. 

Rastet e aksidenteve kalojnë në heshtje, ndërsa turistët largohen të zhgënjyer dhe të frikësuar. Ndërkohë, çmimet janë rritur në mënyrë të pamëshirshme, por shërbimet kanë rënë në nivelin më të ulët të viteve të fundit. 
Betonizimi i pakontrolluar ka shkatërruar hapësirat publike dhe ka dëmtuar rëndë identitetin turistik të qytetit.

Të gjitha këto kanë sjellë një pakësim të ndjeshëm të numrit të turistëve. Qeveria mundohet ta fshehë këtë realitet, sepse deri dje Kryeministri mburrej me shifrat e turizmit, ndërsa sot përpiqet të mbulojë dështimin me foto dhe video të sajuara nga lart me dron. 

Me ndotje masive, pasiguri në plazhe, çmime të papërballueshme dhe betonizim të pakontrolluar, si mund të pretendojë Kryeministri se Shqipëria është gati për Bashkimin Europian?

BE nuk mbyll sytë para mungesës së standardeve të higjienës, mbrojtjes së mjedisit, sigurisë dhe të drejtave të konsumatorit. Me këtë gjendje, jo vetëm që nuk po afrohemi me BE-në, por po humbim edhe turistët që deri dje ishin burimi kryesor i të ardhurave të qytetit.

U bëj thirrje qytetarëve të Durrësit, bizneseve dhe të gjithë atyre që e duan këtë qytet: mos pranoni të heshtni! Ky është qyteti ynë, shëndeti ynë, imazhi ynë. Durrësi nuk mund të jetë pronë private e pushtetit dhe klientelës së tij.

Si anëtare e Këshillit Bashkiak të Durrësit dhe përfaqësuese e Partisë së Lirisë, nuk mund të hesht përballë mashtrimeve të qeverisë që po dëmtojnë ekonominë, imazhin dhe historinë e qytetit tonë.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Askushi: 15/08/2025 11:52

    Edhe nqs ka deshtuar u kenaqet ju?!!.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?