Politikë

Partia e Lirisë: Spitalet shtetërore janë kthyer në qendra mbijetese, pacientët drejt privatit

3 Shkurt, 16:03| Përditesimi: 3 Shkurt, 16:12

  • Share

Partia e Lirisë thotë se spitalet publike janë kthyer në qendra mbijetese duke humbur funksionin e qendrave të shërbimit shëndetësor. Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë në Partinë e lirisë, Florida Ymeri denoncon se prej mungesës së kushteve në spitalet publike pacientët po detyrohen t’i drejtohen privatit.

Deklarata e Kryetares së Komisionit të Shëndetësisë së PL, Florida Ymeri

Përshëndetje, siç është bërë e dukshme, gjendja në sistemin shëndetësor publik në Shqipëri është alarmante. Në ditët e sotme, spitalet publike janë kthyer në qendra mbijetese dhe jo në qendra të shërbimit shëndetësor cilësor. Shtimi i numrit të pacientëve, jo vetëm në urgjenca, pajisjet mjekësore që pësojnë defekt çdo ditë, numri i ulët i personelit duke i kthyer ata në punëtorë norme, pacientë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë që përballen çdo ditë me mungesën e kushteve higjieno-sanitare, mbipopullimi i pavijoneve dhe radhët e gjata për trajtime që shpesh nuk përmbushen në kohë, janë disa nga problemet kryesore.

E gjithë kjo situatë e rënduar po detyron një pjesë të madhe të popullsisë t’i drejtohet sektorit privat, i cili mbetet i paarritshëm për shumë familje për shkak të kostove të larta. Në këtë mënyrë, qytetarët shqiptarë janë lënë në mëshirën e fatit, të pambrojtur dhe të privuar nga shërbimet që meritojnë si taksapagues të këtij vendi.

Kjo është një pasojë e drejtpërdrejtë e keqmenaxhimit dhe mungesës së investimeve të vazhdueshme nga qeveria në sistemin publik të shëndetësisë. Fondet publike nuk përkthehen në shërbime më të mira për qytetarët, por në rritje të burokracisë dhe abuzim tenderash.

Partia e Lirisë, lidhur me këto shqetësime, merr angazhim në programin e saj për shëndetësinë për:

Rritje të buxhetit për shëndetësinë në sektorin publik, duke e çuar atë në mesataren e rajonit, 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Fokusimi do të jetë në përmirësimin e kushteve fizike, kushteve të punës për mjekët dhe rinovimin e pajisjeve mjekësore diagnostikuese.

Konsolidimin e Sistemit të Referimit, për t'i dhënë fund kaosit të radhëve të gjata dhe pritjes me muaj të pacientëve, si dhe korrupsionit që ky kaos gjeneron.

Decentralizimin e kompetencave të Ministrisë së Shëndetësisë, për të ofruar shërbimin sa më pranë banesës së qytetarëve dhe për të fuqizuar sistemin shëndetësor në të gjithë territorin.

Shëndetësia nuk është privilegj, është një e drejtë themelore. Ndaj, ne jemi të vendosur të luftojmë për një sistem shëndetësor që garanton kujdes cilësor dhe të barabartë për të gjithë shqiptarët.

Koha për ndryshim është tani!

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha planifikon të shpërbëjë SPAK nëse fiton më 11 maj, çfarë mendoni?