Politikë

Partia e Lirisë: S’ka BE për Shqipërinë, nëse nuk garantohet vota e lirë

23 Qershor, 14:21| Përditesimi: 23 Qershor, 14:24

  • Share

Me procesin zgjedhor të 11 majit, që sipas Partisë së Lirisë u votua nën terror, vendi nuk e meriton integrimin në BE, sipas zv.sekretares së përgjithshme të kësaj partie, Brunilda Haxhiu.

Sipas Haxhiut, “manipulimi masiv dhe vrasja e votës pa hyrë ende në kuti, keqpërdorimi barbar i shtetit si makineri zgjedhore kriminale, blerja e votës dhe deformimi i rezultatit janë të papranueshme për një vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”. Haxhiu shtoi se integrimi evropian nuk mund të ndërtohet mbi votën e vjedhur.

Deklarata e Zv. Sekretares së Përgjithshme të Partisë së Lirisë, Znj. Brunilda Haxhiu.

Terrori elektoral i 11 Majit ishte një provë e qartë e dështimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri. Manipulimi masiv dhe vrasja e votës pa hyrë ende në kuti, keqpërdorimi barbar i shtetit si makineri zgjedhore kriminale, blerja e votës dhe deformimi i rezultatit janë të papranueshme për një vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Integrimi europian nuk është vetëm një kalendar politik, por një angazhim për vlera dhe standarde. E mes këtyre standardeve, zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të barabarta janë themeli i çdo demokracie europiane.

Sot, Shqipëria është shumë larg këtyre parimeve.Sot, Shqipëria prodhon farsë zgjedhore dhe jo demokraci funksionale. Në Shqipëri, ku fletët e pavlefshme mbushin kutitë dhe ku fletët e votimit janë më shumë se vetë votuesit, institucionet heshtin. Ky standard i dyfishtë është turp për një shtet që synon BE-në, por funksionon me modelet e autokracive ballkanike.

Partia e Lirisë dhe opozita ka denoncuar fakte dhe prova krimin elektoral, që nisi me rrëmbimin terrorist të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe u vulos me terrorin elektoral të 11 Majit, nëpërmjet përdorimit të “trenit bullgar”, votimit të parregullt dhe tjetërsimit masiv të votës nëpërmjet patronazhimin dhe kërcënimeve për bukën e gojës.

Në 11 maj standardet e zgjedhjeve u shkatërruan haptazi, përpara kamerave ku institucionet shteterore vepruan si nje grup mafioz i organizuar, si në rastin e Bashkisë së Vorës ku qendrat e votimit u morën peng nga banditë elektoralë dhe ku Task Forca imagjinare e SPAK, e ngritur vetëm për të goditur dhe shantazhuar opozitën, ende sot e kësaj dite nuk ka regjistruar një procedim penal. 

Në raportin paraprak të OSBE- ODIHR përmenden përdorimi I burimeve shtetërore, presioni ndaj administratës, shitblerja e votës, kapja e mediave etj.
Partia e Lirisë është e qartë dhe e bindur në qëndrimin e saj se nuk ka integrim të Shqipërisë në Europë me “trenat bullgarë” të Edi Ramës.  Integrimi Europian nuk mund të ndërtohet mbi votën e vjedhur!  Nuk mund të ketë integrim europian pa zgjedhje të lira dhe të ndershme. 

Partia e Lirisë ka qenë dhe mbetet mbështetëse e palëkundur e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por Integrimi nuk është dekor, as fasadë politike. Është votë e lirë, demokraci funksionale, shtet i së drejtës. Terrori elektoral i 11 Majit kurrë nuk do të pranohet nga Partia e Lirisë.
Pa garantuar votën e lirë, themelin e demokracisë dhe shtetit ligjor, nuk mund të ketë integrim të Shqipërisë në familjen europiane!

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria mbështet SHBA-në pas sulmit ndaj Iranit, si e vlerësoni?