TIRANË-Partia ‘Mundësia’ e drejtuar nga Agron Shehaj, hapi ditën e sotme zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Para mbështetësve të tij, nga Pallati i Kongreseve Agron Shehaj, vuri theksin tek korrupsioni, i cili që sipas tij është problemi kryesor në vend.
Shehaj theksoi se mbështetja ndaj SPAK do të jetë absolute, në mënyrë që të vijohet me ndëshkimin e kujtdo që është përfshirë në korrupsion.
‘Duhet ta bëjmë Shqipërinë vendin e të gjithëve dhe për të gjithë dhe jo për një pakicë. Ne s’mund të ndryshojmë të kaluarën, por mund të ndryshojmë të ardhmen. Ishim më pak se 10 veta me një ide që duhej e çmendur, por sot shihni këtë sallë, jemi me mijëra dhe me qindra mijëra në të gjithë Shqipërinë. Shqipëria ka shumë probleme por më kryesori është korrupsioni. Po pasurohen zyrtarët dhe po varfërohen qytetarët. Drejtësia sulmohet vazhdimisht nga politikanë të korruptuar, ekonomia kontrollohet nga një pakicë e lidhur me pushtetin, por shqiptarët kanë një alternativë, ne jemi ndryshimi. Mbështetja jonë për SPAK është absolute, duhet t’i jepet fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të korruptuar’, tha ai.
Agron Shehaj deklaroi se Partia Mundësia është opozita e vërtetë në Shqipëri, që do të bëjë një betejë të ashpër në Parlament kundër vjedhjes dhe varfërimit të qytetarëve.
‘Ne jemi opozita e vërtetë. Ne jemi opozita e sistemit. Ne jemi opozita e së kaluarës. Të gjithë ata që mbrojnë status quo-në përpiqen t’u imponojnë shqiptarëve zgjedhjen mes dy alternativave të vjetra. Ose më keq akoma: midis së vjetrës dhe koalicioneve të reja, por me zakonet e vjetra – me abuzime, pazare dhe hipokrizi. Ne nuk jemi pjesë e kësaj loje. Ne jemi ndryshe. Ne jemi opozita e vërtetë.
Ajo që kam arritur vetëm në parlament gjatë këtyre viteve është vetëm një ogur i asaj që do të bëjmë së bashku si grup parlamentar në Kuvendin e ardhshëm. Ne do t’ua nxijmë jetën atyre që vazhdojnë të vjedhin popullin më të varfër në Europë’, tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Shehaj prezantoi edhe programin e partisë që ai drejton. Ai tha se vizioni i Partisë Mundësia është lufta pa kompromis ndaj korrupsionit.
'Ne besojmë në një shtet të vogël, që i lë qytetarët të lirë të ndërtojnë vetë të ardhmen e tyre. Ne duam një Shqipëri ku qytetarët nuk e ndiejnë shtetin si barrë, por si garantues të lirisë, sigurisë dhe drejtësisë. Një shtet që nuk rëndon mbi qytetarin është një shtet që i jep mundësi çdo individi të lulëzojë. Ne besojmë se mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik vijnë nga liria dhe përgjegjësia individuale. Një shqiptar i lumtur është një shqiptar i pasur dhe i lirë të realizojë potencialin e tij. Ne besojmë se lufta kundër korrupsionit është jetike për të krijuar kushtet për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në Shqipëri.
Drejtësia është shtylla kryesore e një shoqërie të lirë dhe të drejtë. Ne besojme që rritja ekonomike është çelsi i zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve. Pa rritjen ekonomike nuk mund të ketë një arsim më të mirë, një shëndetësi më cilësore, infrastrukturë moderne. Pa rritje ekonomike nuk mund të ketë një jetë më të mirë. Ne jemi të vetmit që besojmë se ekonomia nuk rritet falë shtetit. Ne jemi të bindur se shteti ka qenë pengesa më e madhe e rrijtes ekonomike të Shqipërisë në këto 34 vite', tha ai.
Një paralajmërim Shehaj e pati për të gjithë numëruesit e votave në zgjedhjet e 11 majit. Ai tha se ata nuk duhet që të tentojnë të vjedhin votat e qytetarëve që mbështesin Partinë Mundësia.
“Do ta ushtrojmë të drejtën tonë për të rinumëruar të paktën 10% të kutive të votimit. Do të filmojmë të gjithë proceset e numërimit. Dhe do të çojmë në SPAK këdo përgjegjës për parregullësinë më të vogël”, tha ai.
Komente

Flet hajduti për korrupsion...
Përgjigju