Bota

Korea e Jugut/ Urdhëroi arrestimin e disa politikanëve, partia në pushtet kërkon largimin e presidentit

6 Dhjetor 2024, 08:51| Përditesimi: 6 Dhjetor 2024, 16:17

  • Share

Pas trazirave që erdhën me shpalljen e ligjit ushtarak, Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, urdhëroi arrestimin e liderit të partisë së tij në pushtet, Han Dong-hoon. Lista e arrestimeve përfshin kreun e Partisë Demokratike, Lee Jae-myung, si dhe tre ligjvënës të opozitës.

Duket se ky ishte qëllimi i presidentit Yoon me shpalljen e ligjit ushtarak të zhdukte rivalët në radhët e veta. Han Dong-hoon, Kreu i partisë ‘Pushteti Popullor’ të Yoon, pretendon se ekziston një rrezik i madh që presidenti të urdhërojë "veprime ekstreme" duke vënë në rrezik qytetarët. Han tha se ka “prova të besueshme” që sugjerojnë se Yoon kishte urdhëruar arrestimin e “politikanëve kryesorë”.

Udhëheqësi i opozitës Lee Jae-myung ndërkohë paralajmëroi se Yoon mund të bëjë një përpjekje tjetër për të shpallur ligjin ushtarak përpara se parlamenti të votojë mocionin për shkarkimin e tij të shtunën. Blloku opozitar ka 192 ulëse në Parlamentin me 300 deputetë, ndërkaq partia e Yoonit ka 108. Nëse mocioni për shkarkimin e presidentit do të kalonte, atëherë vendimi për largimin e tij do të varej nga Gjykata Kushtetuese.

Ligjvënësi opozitar Jo Seung-lae, zëdhënës për Partinë Demokratike thotë se të gjithë ligjvënësit e kësaj partie do të qëndrojnë brenda ndërtesës së Asamblesë Kombëtare deri në momentin e votimit të mocionit të shtunën e 7 dhjetorit.

Ai tha se ky vendim është marrë pas “shumë informacionesh që partia ka marrë” sa i përket mundësisë që Yoon të shpallë gjendje lufte për herë të dytë. Policia në Korenë e Jugut ka nisur hetimet me akuza për kryengritje, akuza që janë iniciuar nga opozita kundër presidentit Yoon dhe zyrtarëve kryesorë shtetërorë.

Më 3 dhjetor Presidenti shpalli gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake, pasi e konsideroi të nevojshme për të mbrojtur vendin nga forcat komuniste të Koresë së Veriut dhe për të eliminuar elementët kundër shtetit.

Ai u zotua të çrrënjosë "forcat e paturpshme anti-shtetërore pro-koreane të Veriut" dhe tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të merrte masën për të mbrojtur rendin kushtetues.

Ndërkohë disa orë më vonë ai u detyrua të tërhiqte vendimin pasi ligjvënësit u përballën me ushtrinë në Parlament dhe votuan për ta zhbërë vendimin dhe mijëra njerëz protestuan jashtë Parlamentit.

Xh.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në vend?