Politikë

Partitë e reja/ Spahia: Me Berishën u përçamë për Kodin, Rama s’i fiton zgjedhjet! Meçe: Binomi politik nuk çahet, sondazhet e tregojnë, PS fiton! Hasa: PS-PD bënë pazar, ne do jemi surpriza!

23 Prill, 22:52| Përditesimi: 23 Prill, 23:01

  • Share

A do munden ta thyejnë binomin PS-PD partitë e reja dhe të vogla, që garojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, apo Shqipëria do vijojë me bipolaritet politik.

Të ftuarit në emisionin “Repolitix” mbrëmjen e sotme, në Report Tv, ndanë mendime të ndryshme, edhe pse shprehën besimin se pas 11 majit asnjë nga dy partitë e mëdha nuk do e bënte dot qeverinë.

“Nuk jam i çmendur të them se do marrim 71 deputetë apo 50%. Ne do përballemi me elektoratin me program dhe projekte, me kandidatë të zgjedhur dhe përfaqësues të denjë. Unë jam i djathtë dhe vij deri te PD, në 34 vjet nuk kam kaluar asnjëherë në krahun tjetër. Nuk besoj se Rama merr mandatin e katërt. Nëse i marrim mandatet tona, do i përfaqësojmë me dinjitet, nuk do shkojnë te PS-ja. Edhe në lidhje me PD do mbështetet në disa pika të caktuara të programit, ku do mbështetet nëse mandatet tona do duhen për qeverisje djathtas. Ndarja kryesore ishte seanca e 26 korrikut të kaluar, reforma zgjedhore, listat e mbyllura, votimi elektronik, kjo ishte kryesorja”, tha Ekrem Spahia, duke shpjeguar edhe përçarjen e ‘Djathtas për Zhvillim” me PD-në.

Analisti Arben Meçe theksoi se partitë e reja kanë krijuar një lloj fryme, por se dukej e vështirë që binomi i partive të mëdha të thyhej.

Ai shprehu mendimin se te disa nga koalicionet e partive të reja vihej re se kishte disa pika të qarta dhe pozitive, figura të reja dhe konsistencë politike.

“Do jetë e vështirë, edhe pse ka një frymë pozitive. Ka figura të reja dhe përfaqësuese, sikurse te koalicioni “Djathtas për Zhvillim”. Përfaqësimi juaj kryesor është ndarja me Sali Berishën. Pra janë të djathtë, por jo me Sali Berishën. Edhe Alibeaj edhe Shehi e kanë thënë qartë. Tani çështja është pse u ndatë nga Sali Berisha (i drejtohet Spahisë). Unë mendoj se edhe sondazhet e bëra janë drejt realitetit, se fitorja e mandatit të katërt të PS nuk mund të pengohet. Unë do doja që përfaqësues të partive të reja të ishin në Parlament”, u shpreh Meçe, teksa përfaqësuesi i LZHK i shpjegoi edhe më sipër arsyen.

Endri Hasa nxori në pah faktin e ndarjes me PD dhe PS. Ai denoncoi marrëveshjen e fshehtë dhe pazarin e dy partive të mëdha për kodin zgjedhor.

“Sistemi zgjedhor u shkatërrua me marrëveshjen PS-PD që u arrit dhe tashmë pushteti dhe Rama janë bërë më të fuqishëm, sepse u bë pazar. Ndërkombëtarët kërkuan përmirësimin e ligjit të zgjedhjeve, por u bë marrëveshje nate. Qytetarëve u ka ardhur në maj të hundës me dy partitë e mëdha dhe duan ndryshimin. Nuk sillet ndryshimi duke ndërruar palët, por me individ të rinj, e jo me ata që duan të nxjerrin nga burgu shokët te 313-ta. ne do bëjmë ndryshimin më 11 maj, do jemi surpriza. Jemi realist, për shkak të sistemit nuk marrim dot deputetë në të gjitha qarqet, por në shumicën e tyre. Unë e them këtu se do të jemi surpriza e këtyre zgjedhjeve, qytetarët të votojnë numrin 4 dhe Koalicionin Euroatlantik”, tha ai.

Avokati përparim Çaça u shpreh se partitë e reja janë produktive, por nuk dihet nëse do i përkthejnë votat në mandate.

“Mendoj se partitë e reja janë produktive, do marrin vota, por nuk e di nëse do përkthehen në deputetë”, tha avokati.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?