Partitë e vogla ose pikat e ujit që do të gërryejnë dinosaurët e politikës

13 Tetor, 21:01| Përditesimi: 13 Tetor, 21:04

  • Share

Të rinjtë në politikë dhe partitë e reja, do ta çojnë shoqërinë shqiptare në një tjetër platformë zhvillimi. Të gjithë bashkë, duke nisur që nga Endri Shabani, Adriatik Lapaj, Arlind Qori e deri te më e fundit, “Djathtas 1912” apo të tjerë që mund të vijnë nga eksponentë të djathtës apo të shoqërisë civile, të çliruar nga dinosaurët e politikës shqiptare të tranzicionit, do të sjellin ndryshim, madje disa prej tyre po e bëjnë. Nuk them se ata do të jenë perfekt, pasi nuk ka perfekt në njerëzoren dhe aq më shumë në vendin tonë, por besoj se do të bëjnë më të mirën për të sjellë një mënyrë më moderne, më korrekte, më të vërtetë për të bërë politikë.

Të rinjtë sot në politikë po e shkëpusin këtë makineri të domosdoshme mbijetese dhe rregullimi shoqëror nga politikat e instikteve, pabesive, pandershmërisë dhe manipulimeve. Nuk mund të ketë shfaqje të menjëhershme të asaj që mendohet se do të bëjnë, por është e sigurtë se këto pika të vogla uji do të gërryejnë dinosaurët prej shkëmbinjsh të kalcifikuar të së shkuarës sonë.

Politikanët e rinj do të arrijnë të jenë të edukuar, të sjellshëm, të ditur, të mësuar, të thjeshtë, të denjë si përfaqësues të një shoqërie tamam si kjo e jona, e fundit në Europë për zhvillim ekonomik, por me një ambicje që shkon deri në yllin më të largët të galaktikës sonë e me dëshirën për të qenë të gjithë më europianë, më perëndimorë.

Shumica e këtyre politikanëve të rinj vijnë nga familje të vërteta shqiptarësh që jetojnë mes lagjeve autentike të qyteteve, nga ato që nuk rrethohen me muret e larta të izolimit të luksit e të privilegjeve të tejskajshme që i kanë shkëputur njëherë e përgjithmonë politikanët e vjetër nga humusi njerëzor shqiptar.

Për median, inkurajimi, prezantimi, dëgjimi i tyre është një detyrë qytetare që duhet bërë e plotë dhe me ndërgjegje. Sigurisht, do të ishte naive të besonim se janë të vlefshëm vetëm sepse janë të rinj. Ata janë të vlefshëm sepse deri tani janë ndryshe dhe me këtë ndryshim do të sjellin herët a vonë, edhe përmirësim.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?