Villarreal në La Liga ka shfaqur interes për mesfushorin e Partizanit, Maguette Gueye. Përfaqësues të klubit spanjoll e kanë ndjekur nga pranë senegalezin dhe sipas Panorama Sport kanë filluar kontaktet me klubin e kuq.
21-vjeçari ka zhvilluar një sezon fantastik me "Demat", teksa në 43 takimet e këtij sezoni ka shënuar gjashtë gola si edhe ka dhuruar dy pasime finale. Me kontratë deri në verën e 2025, Partizani kërkon që të përfitojë më shumë se 1.4 milionë euro nga shitja e mesfushorit, për të thyer rekordin e shitjes së Skukës një vit e gjysmë më parë te francezët e Metz.
Interesi nga Villarreal ka qenë serioz, ndërsa pritet që vera të jetë e nxehtë për kalimin e djaloshit në La Liga. Një ofertë zyrtare pritet nga spanjollët, me Partizanin që do kërkojë të përfitojë sa më shumë, duke mbajtur pse jo edhe një pjesë përqindje të kartonit.
Maguette u bashkua me të kuqtë në 2021, teksa kaloi shumë vështirësi mes revoltës dhe braktisjes së stërvitjes, por që në fund Partizani ia doli të formonte edhe karakterin e djaloshit që cilësitë në mesin e fushës i ka dëshmuar këtë sezon.
Kujtojmë se edhe më herët për mesfushorin ka pasur interes nga klube të ndryshme, me Partizanin që nuk ka pranuar 600 mijë euro për ta lënë të lirë.