Agim Zeka është futbollisti tjetër i Kombëtares që nis një aventurë të re në Europë. Fantazisti 26-vjeçar është zyrtarisht lojtari më i ri i Real Murcia, klub i njohur spanjoll që garon në nivelin e tretë. Sulmuesi anësor u prezantua nga klubi me një gjest domethënës, aty ku shqiponja ishe në qendër të videos.
Zeka i bashkohet Murcias pas një sezoni shumë të mirë me Partizanin, ku ishte një nga lojtarët më të spikatur të ekipit. 26-vjeçari regjistroi 37 paraqitje, 2 gola dhe 4 asistime, duke dhënë kontribut të rëndësishëm si në kampionat ashtu edhe Kupë.
Me përvojën e grumbulluar në disa nga ligat evropiane si Eredivisie (Holandë), Bundesliga austriake, Superliga e Kosovës dhe Kategoria Superiore, Zeka shihet si një përforcim cilësor për repartin sulmues të Murcias.
I gjatë 1.83 metra, Zeka luan zakonisht në të djathtë të sulmit, duke përdorur këmbën e majtë. Ai njihet për shpejtësinë, driblimet dhe saktësinë në krosime, por edhe për vendosjet taktike, pasi mund të mbulojë disa role në mesfushë dhe sulm.
“Agim është një lojtar dinamik dhe i gjithanshëm, që do të sjellë thellësi dhe kreativitet në fazën sulmuese. Shqiponja jonë”, njoftoi Real Murcia në komunikatën zyrtare.
Komente
