Xhuliano Skuka pritet të largohet edhe nga Maribori në Slloveni, aty ku ka kaluar muajt e fundit i huazuar nga Metz në Francë. Sulmuesi nuk po e gjen veten në klubin e ri dhe në 13 ndeshjet e këtij sezoni ka shënuar vetëm një gol.
Tanimë nga Maribor bëjnë me dije se Skuka me disa lojtarë të tjerë është në listën e largimeve nga ekipi. Drejtori sportiv Marco Suler ka thënë se Skuka nuk i përmbush standartet e klubit.
"Kemi katër të huaj, që janë vërtetë shumë. Skuka nuk i përmbush standartet e Mariborit në aspektin e karakterit dhe nuk i përshtatet ekipit. Duam të përfundojmë huazimin me të”, ka deklaruar drejtori sportiv i Maribor, Marco Suler.
I dalë nga Korabi dhe me shkëlqimin te Partizani, Skuka u shit nga të kuqtë për 1.4 milionë euro drejt Metz në Francë, në janarin e 2023. Disa muaj në Francë nuk ishin të duhurat, me Skukën që më pas u huazua te Maribor. Një rikthim te Partizani nuk është i pamundur për 25-vjeçarin, që me Metz ka kontratë deri verën e 2026.