Arbër Abilaliaj

Sport

Partizani kërkon kualifikimin në Kupë pa trajner, Abilaliaj: Falenderoj Veselinovic, kemi vuajtur presionet dhe ndryshimet

24 Shkurt, 17:04| Përditesimi: 24 Shkurt, 17:21

  • Share

Partizani dhe Laçi përballen të martën në orën 17:00 për ndeshjen e kthimit në fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Sfida e parë mes tyre përfundoi me rrjeta të paprekura dhe të dyja klubet do kërkojnë kalimin më tej në "Arenën e Demave".

Vendasit e Partizanit vijnë në këtë duel pas shkarkimit të trajnerit Aleksandar Veselinovic dhe kërkojnë të rikthehen te fitorja pas gjashtë ndeshjeve "jo". Për mediet foli drejtori sportiv Arbër Abilaliaj, që do bëjë edhe rolin e trajnerit në kushtet e emergjencës.

Si fillim ai falenderoi ish-trajnerin dhe tha se klubi ka vuajtur presionet dhe ndryshimet që janë bërë në janar me shitjen e shumë lojtarëve kryesorë.

"Fillimisht do të doja të falenderoja trajnerin Aleksandar Veselinovic për punën që ka bërë deri më tani në klub. Për gjithë arritjet e tij përgjatë kësaj periudhe 6 mujore në klubin tonë. Përpara kemi një ndeshje shumë të rëndësishme dhe koha është relativisht e shkurtër. Patjetër që do mundohemi të kthehemi pak më shumë në disa dinamika , apo në disa profile që Partizani edhe si klub i ka patur këta lojtarë edhe e kanë treguar më përpara. Mendoj që 2-3 ndryshime në koncept besoj se do t'i kemi edhe në ndeshjen e nesërme.

Gjashtë ndeshje pa fitore, si paraqitet gjendja psikologjike e lojtarëve në prag të ndeshjes me Laçin?

Psikologjikisht nuk është asnjëherë mirë të mos fitosh, sepse fitorja krijon bindje, të jep siguri, krijon mekanizmat të cilat funksionojnë mirë. Patjetër që kjo nuk është nga situatat më të mira të mundshme, por gjithsesi unë mendoj dhe jam i bindur që i gjithë ambjenti që punojmë këtu edhe futbollistët është një ekip i shëndetshëm.

Ndoshta ka vuajtur edhe presionet edhe ndryshimet që janë bërë, por mendoj që shumë shpejt do ta gjej rrugën drejt fitores sepse ekipi është, kualiteti është. E them edhe një herë që këta djem për mënyrën si stërviten dhe atë çfarë tregojnë në fushën e stërvitjes mendoj që i mungon vetëm të kthehemi te fitorja, të kthehet besimi sepse realisht është një grup shumë i mirë.

Pak gola të shënuar...

Të them të drejtën janë shumë faktorë për t'i dhënë përgjigje kësaj pyetje. Mendoj që gjëja më kryesore në momentin që ndërton ose më saktë duhet të jemi koshient që jemi duke ndërtuar diçka të re, mekanizma të rinj, një fytyrë tjetër pasi kanë ardhur edhe lojtarë të rinj. Duhet t'i përshtatemi edhe profileve dhe me mënyrën se cili profil dëshiron të luaj.

Unë e kam thënë edhe më përpara se do të duhet një kohë tranzicioni për të krijuar një profil në qoftë se do të themi Partizani ri. Jam po ashtu shumë i bindur që në momentin që do konsolidohemi dhe do krijohet profili i përshtatem për futbollistët që kemi në përbërje mendoj që kualiteti në ekip është shumë i lartë.

Çështja e shënimit apo pësimit të golave të dyja si statistika nuk kanë qenë në favorin tonë, duke ditur që kemi qënë një nga skuadrat që deri dje kemi pësuar më pak gola në kampionat. Mendoj që thjesht është një moment reflektimi për të gjjthë duke filluar nga ne të parët e deri te futbollistët më fund për t'u fokusuar te gjërat që realisht dimë t'i bëjmë mirë.

Vetëm dy ditë në dispozicion për të përgatitur ndeshjen e Kupës...

Sigurisht dy ditë për të implementuar diçka janë pak. Por për mua nuk janë pak, duke patur parasysh që me pjesën më të madhe të lojtarëve që do të interpretojnë lojën nesër kam kohë këtu . Më njohin, i njoh e di çfarë na pret. Për këtë arsye them që nuk janë pak. Në qoftë se duam të rikthehemi te fitoret, te ndeshjet e mira apo te ajo mënyrë siç edhe ka luajtur më parë Partizani besoj se janë ditë të mjaftueshme.

Më shumë për të kuruar pjesën e aspektit psikologjik që lojtarët të gjejnë vetveten. Pjesa tjetër e lojës do të jetë thjesht për t'u interpretuar duke ditur që unë i njoh shumë mirë ata dhe ata më njohin mua", tha Abilaliaj.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vota e Diasporës do jetë përcaktuese më 11 maj?