Eros Grezda është dëshira e madhe e Partizanit për repartin e sulmin. Të kuqtë që e mbyllën si kampion dimri në Superligë po tentojnë të përforcojnë repartin e sulmit, duke qenë se kanë patur më shumë luhatje në raport me repartet e tjera në fushë.
Sa i takon 27-vjeçarit këtë sezon është aktivizuar me Manisa-n në Kategorinë e Dytë në Turqi dhe është i pakënaqur. Gjakovari sipas të gjitha gjasave do ndërrojë ambient dhe disa klube po tentojnë ta bindin edhe pse kohët e fundit futbollisti ka patur shumë ulje-ngritje. Madje këtë sezon është aktivizuar vetëm 8 ndeshje dhe nuk ka arritur ta gjejë rrugën e rrjetës.
Gjithsesi tani për tani Grezda nuk e ka ndërmend t’i thotë ‘po’ Partizanit. Grezda dhe agjentët e tij po kërkojnë një kampionat më të rëndësishëm se Superliga shqiptare dhe vetëm në rast se kjo nuk ndodh atëherë do hapen dyert për Partizanin.
Grezda është pjesë edhe e kombëtares, pasi ka zhvilluar 12 ndeshje si kuqezi pavarësisht se mungon prej kohësh. Një prej alternativave te Partizani është edhe ish-sulmuesi Eraldo Çinari, i cili gjithashtu luan në Turqi me Samsunspor.