Partizani ka bërë një tjetër paraqitje katastrofike pasi në javën e 28 të Superligës është mposhtur 1-3 nga Kukësi, duke marrë në këtë mënyrë humbjen e 5 radhazi në kampionat.
Në 'Selman Stërmasi' të kuqtë u ndëshkuan fillimisht në fundin e pjesës së parë nga Abazaj, ndërsa në fraksionin e dytë një autogol i Boldor dhe rrjeta e Et'hemit dërguan shifrat e përkohshme në 0-3.
Nga ky moment Kukësi toleroi disi dhe Partizani arriti vetëm të ngushtonte diferencat me Solomon, por pa shmangur humbjen, e cila i dërgon në vendin e tetë në renditje, pas fitores 1-0 të Bylisit me Teutën. Ky pozicion nëse do te ishim në fund te kampionatit do të thoshte play-of për të dalë nga kategoria për Partizanin, skuadrën ende kampione në fuqi të Superigës.
Me këto rezultate rrezikojnë jo vetëm te kuqtë por edhe trajneri Sormani, i cili duket se nuk po e menazhon dot skuadrën.
Ndërkohë Tirana, ekipi tjetër i kryeqytetit, po marshon frikshëm drejt titullit. Në transfertën e Gjirokastrës bardheblutë kanë fituar me rezultatin 0-5, duke ruajtur diferencën +9 nga Kukësi ndjekës 8 javë para përfundimit të kampionatit. Golat për Tiranën i realizoi Vangjeli, Kobinah, Hasani, Batha dhe Dunga.
Sakaq në takimet e tjera Laçi shkërmoqi 5 me 2 Vllazninë, ndërsa Flamurtari u mposht 0-1 nga Skënderbeu. Të gjitha takimet e kësaj jave u luajtën të dielën duke filluar nga ora 17:00.
Komente
