Politikë

‘Partizani’/ Spahia për Report Tv: Ja pse i thashë Berishës në mbledhjen e qeverisë më 2005, se isha kundër ligjit të Sporteve! Çaça: Dosja nuk pushohet më! Meçe: Nesër kalon për gjykim

23 Prill, 21:41| Përditesimi: 23 Prill, 22:38

  • Share

Ligji i Sporteve gjatë qeverisë “Berisha” ishte një ndër zanafillat kryesore nga u prodhua afera dhe skandali me dosjen “Partizani”, që sot ndodhet në dyert e gjykatës. Seanca paraprake ka shkuar drejt fundit dhe nesër (24 prill), GJKKO do japë vendimin për të kaluar ose jo në gjyq Sali Berishën, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerët.

Ish-zv/ministri i Sporteve në vitin 2005, Ekrem Spahia, aktualisht përfaqësues dhe kandidat i koalicionit “Djathtas për Zhvillim”, solli në vëmendje diskutimet në Qeveri dhe gati kundërshtinë e tij me ndryshimet ligjore, për shkak të ishin shumë pak klube dhe terrene sportive dhe ato që ishin duheshin mbrojtur, përveçse duhej mbrojtur çështja e pronave.

Megjithëse në atë kohë Berisha u dakordësua që të rishikohej ai ligj, produkti që ajo solli më pas ishte një dosje penale me shkelje, ndryshim destinacioni dhe elementë penalë që sipas SPAK shkojnë deri në korrupsion për Berishën.

Kjo tematikë u diskutua në panelin e emisionit “Repolitix” mbrëmjen e sotme, në Report Tv. Përveç Spahisë, në studio ishin edhe ish-deputeti Arben Meçe, drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik, Endri Hasa dhe avokati Përparim Çaça.

Pothuajse të gjithë u dakordësuan se nesër dosja pritej të kalohej për gjykim, pasi ishin ezauruar të gjitha zvarritjet proceduriale. Por probabiliteti përsëri ekzistonte për shtyrje apo pushim, për shkak se vendimi ishte e drejtë e gjyqtarit.

Avokati Përparim Çaça bëri shpjegimin juridik, ku sqaroi se me seancën e sotme, ku u rrëzua kërkesa e avokatëve për pavlefshmërinë e provave, përjashtonte pushimin e çështjes, duke lënë vetëm dy opsionet: kthimin për hetime të tjera, ose kalimin për gjyq themeli.

“Është bërë tashmë i pamundur pushimi i çështjes në seancë paraprake. Pushohet vetëm në rastet kur mungojnë elementët e veprës penale, pra vetëm kur prokuroria ia fut kot. Ajo që ndodh nesër është vetëm nëse kthehet për hetime të tjera, ose nëse kalon për gjykim.

Kjo nuk do të thotë se shkon për gjykim dhe janë fajtorë, atë e shpall gjyqtari i themelit. Por them se kjo fazë e përjashton pushimin e dosjes, pra mbeten vetëm dy zgjedhje juridike.

Një proces i tillë kompleks është normale edhe zvarritja deri në 6 muaj. Tani gjyqtari tha se provat janë të vlefshme, provat janë të përdorshme, pra ose kalon në gjykim nesër, ose kthehet për hetim. Gjyqtari i seancës paraprake nuk i hyn gjykimit apo çmimit të provave. Por ky është mendimi im, sepse probabiliteti që gjyqtari ta pushojë ekziston, sepse e ka këtë të drejtë”, tha avokati.

Kurse analisti Meçe u shpreh se tani pritet vetëm vendimi, pasi nuk mund të ketë më zvarritje seancash.

“Gjyqtarja ka mbyllur seancën paraprake për procedim dhe tani është tërhequr për vendim. Pra është mbyllur procesi i seancës paraprake tani dhe u rrëzua kërkesa e avokatit për vlefshmërinë e provave. Gjyqtari i seancës paraprake nuk hyn te provat, sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, atë e bën vetëm gjyqtari i themelit. Pra në seancë paraprake nuk shprehet për pavlefshmëri provash. Tani gjyqtarja është tërhequr për vendim, është çështje proceduriale. Procedurat deri tani janë konsumuar dhe gjykata është shtyrë për vendim, pra nuk mund të ketë më shtyrje seance me procedurë. Nesër vendoset kalimi i çështjes për gjykim, por kjo nuk do të thotë se të akuzuarit janë fajtorë”, u shpreh Meçe.

Ekrem Spahia, përfaqësues dhe kandidat i koalicionit “Djathtas për Zhvillim”, ish-zv/ministër i Sportit në atë kohë kur mori zanafillë afera ‘Partizani’ me ndryshimin e ligjit të Sportit nga qeveria “berisha”, dha edhe shpjegimet për kronologjinë e ngjarjeve.

“Ne nuk jemi në opozitë me PD-në, pro me Ramën. Me PD-në jemi konkurrentë në garë elektorale për zgjedhjet e 11 majit. Zanafilla e padisë për zotin Berisha është ngritur nga PS dhe kreu i grupit parlamentar Taulant Balla. Unë jam i bindur se ish-kryeministri Berisha do dalë i pafajshëm. Në fund të legjislaturës 2001-2005 kam qenë deputet në Kuvend kur kalojnë edhe ligje me shumicë, vjen edhe ligji i Sportit. E kundërshtuam se u bë me nxitim, si opozitë, se kishte mangësi në raport me pronat. Me ardhjen e PD-së kam qenë zv/ministër i Kulturës, Turizmit dhe Sporteve dhe kur kaloi qëlloi që isha unë në mbledhje. Kur erdhi momenti i i diskutimit për klubin Partizani, privatizimin, kundërshtimi apo sugjerimi im ka qenë në disa aspekte, i thonë para 17 vitesh, pra të kishte shqyrtime në aspektin ligjor.

Në shtator 2005 ishin bërë disa amendime, ku presidentët e klubeve sportive, ku në rast se kalonin në koncesione apo bliheshin terrenet sportive, mund të ishin pjesë. Ata e kishin mendjen te asetet, jo te sportet. Pra ishin dy ligje që kalonin në pak kohë. Unë kam thënë këtë se nuk isha për privatizimin e klubeve e terreneve sportive, sepse ishin shumë pak. Nëse do kalohej duhet të kishte patjetër amendimet se do kishte interpretime. Edhe Berisha tha që ta anulojmë dhe ta rikthejmë për rishqyrtim. Platforma e koalicionit tonë në atë kohë ishte çështja e pronave, pra ku kishte mundësi t’i kthehej pronarit, të mundësohej ajo”, shpjegoi Spahia.

Kurse Endri Hasa, drejtues i KEA, u shpreh se gjithkush që ka bërë shkelje, duhet të përballet me drejtësinë.

“Koalicioni Euroatlantik e bazon fushatën në program real kombëtar. Lufta kundër korrupsionit është primare. Kush abuzon me pushtetin duhet të hetohet dhe të përballet me drejtësinë.

Sot është fakt se PD-ja kërkon votën për të bërë deputet Ilir Metën, e për ta nxjerrë atë nga 313-ta. E bëjnë hapur, thjeshtë dhe qartë. Gjithsecili përgjigjet vetë para drejtësisë për atë që ka bërë. Ne nuk i kemi diskutuar kurrë vendimmarrjet e gjykatës dhe drejtësisë”, argumentoi ai.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?