Pas më shumë se 20 vitesh pritje dhe diskutimesh, ka nisur më në fund ndërtimi i Muzeut të Dritëro Agollit në Devoll. Ky projekt përfaqëson një nga nismat më të rëndësishme kulturore në këtë zonë, duke i dhënë dinjitetin e munguar figurës së një prej emrave më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe njëherazi birit të shquar të Devollit.
Muzeu pritet të jetë një hapësirë përkujtimore dhe kulturore që do të pasqyrojë jetën dhe krijimtarinë e Dritëro Agollit, një prej figurave që me penën e tij ngriti lart emrin e vendlindjes në mbarë trojet shqipfolëse dhe më gjerë.
Puna për realizimin e këtij projekti ka nisur tashmë në terren dhe pritet të zgjasë për një periudhë 6-mujore nga momenti i dorëzimit të sheshit të ndërtimit dhe nënshkrimit të dokumentacionit për fillimin e punimeve.
Vlera totale e projektit arrin mbi 15 milion lekë pa TVSH dhe afërsisht 19 milion lekë me TVSH, një investim që synon të sjellë jo vetëm kujtesën e një kolosi letrar, por edhe zhvillim kulturor dhe turistik për zonën.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor dhe rajonal, të cilët theksuan rëndësinë e kësaj vepre për identitetin kulturor të Devollit dhe për ruajtjen e trashëgimisë së Dritëro Agollit.
Projekti është përshëndetur edhe nga miqtë dhe njohësit e afërt të Dritëro Agollit, të cilët e kanë konsideruar nisjen e muzeut si një ngjarje të vonuar, por jashtëzakonisht të nevojshme për respektin që i detyrohemi veprës së tij. Projekti financohet nga Bashkia e Devollit dhe Këshilli i Qarkut Korçë, teksa ky muze pritet ti shtohet muzeve të Qarkut.
Komente
