Pas 25 vitesh martesë, 43-vjeçarja bëhet nënë për herë të parë: Kishim humbur shpresat, por Zoti na ndihmoi

24 Prill 2023, 17:48| Përditesimi: 24 Prill 2023, 17:52

  • Share

Report Tv ju sjell historinë e Linditës, gruas që u bë nënë për herë të parë në moshën 43-vjeçare, pas 25 viteve martesë. Besimi në Zot e bëri që bashkë me bashkëshortin 51-vjeçar të dalin mbi peripecitë disa vjeçare, deri në momentin kur mjekët arritën të gjejnë problemin, dhe t’i japin çiftit dhuratën e shumë-dëshiruar.

“Jam Lindita, 43 vjeç. Jam bërë nënë për herë të parë. Jam shumë e gëzuar”, tha Lindita, nëna e Deonit. 

Prej 25 vitesh ëndërronin ta kishin në duar! Dhurata nga zoti, u erdhi më 14 prill të vitit 2023! Lindita u bë nënë për herë të parë në moshën 43 vjeçare.

Për 25 vite me radhë, ajo dhe bashkëshorti Dashamir Gjoshi kanë kaluar me qindra peripeci, e nuk kanë lënë mjek pa u vizituar. Kur shpresat se do të kishin fëmijën e tyre po u shuheshin, një vizitë e radhës me mjekët dy vite më parë, nxorën më në fund në dritë arsyen pse Lindita nuk po mbeste shtatzënë.

“Unë për vete i kisha humbur shpresat, por zoti më ndihmoi. Kanë qenë tmerr. Vetëm me ilaçe”, tha Lindita, mamaja e Deonit.

“Data 14 për mua ka qenë lindja e dytë. Si çdo prind që pret për fëmijën e vet ta marrë në krahë, dhe unë e datë 14 kam marrë në dorë fëmijën e parë. Nuk kemi lënë vend pa shkuar. Jo këtu, jo atje. Merr mjekime dhe hiç asnjë rezultati. Kishte dhjamëra, infeksion në mitër dhe u bë operacion dy herë”, tha Dashamiri, babai i Deonit të vogël.

Sot Linditën e gjejmë në Maternitetin “Koço Gliozheni”, ku edhe lindi të voglin, që çifti e pagëzuan me emrin Deon. Përveç Zotit, mirënjohje që sot mban në gji të voglin e saj, 43-vjeçarja ndan veçanërisht për mjekun Kastriot Dallaku.

“Qan një fëmijë në shtëpi, ka lezet. Gëzim i madh, nuk di ta përshkruaj. Dhe bashkëshortja është më e qetë se i kishte humb shpresat. Është djalë, dhe ja kemi ngjitur emrin Deon. Ja ka ngjitur goca e vëllait që rrinë me ne. Kishte qejf”, tha babai i Deonit.

Kur rezultati profesional mbështetet nga falënderimi i pacientëve, për bluzat e bardha shënjon momentet e vyera në karrierë, na rrëfen gjinekologu.

“Shtatzënia ka qenë e qetë, pa një problem në përgjithësi. Lindja është bërë me operacion pranë maternitetit tonë. Nëna dhe bebi kanë qenë mirë, ka lindur një djalë të shëndetshëm 3 kg e 500 gram. Shtatzënia në moshat e avancuara ka rreziqet e tyre, ka pasur problem për lindje të para koheshe, ka marrë hollues gjaku, por si përfundim është shumë mirë. Është puna e një grupi mjekesh që kanë marrë pjesë, dhe i falënderoj për punën e tyre”, tha gjinekologu, Kastriot Dallaku.

Sot prindër për herë të parë, Lindita 43 vjeçe dhe Dashamiri 51 vjeç kanë një mesazh për të gjithë ata çifte që mund të jenë duke kaluar të njëjtën situatë që ata fatmirësisht e hodhën pas krahëve.

“Duhet ndjekur mjekësia me detaje. Jo shko vetëm tek një. Duhet ndjekur me detaje dhe në rregull. Mua sikur ma dha zoti, nuk ju ndava deri sa shkova në këtë pikë”, tha babai i Deonit.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Urime: 24/04/2023 19:22

    Ta keni me jete e shendet te voglin. Vertete lumturi e madhe!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?