Në mbledhjen e ditës së sotme Komisioni i Ligjeve shpalli vakancën për pozicionin e Avokatit të Popullit, duke i dhënë mundësinë të interesuarve të depozitojnë dokumentacionin e nevojshëm për t’u kualifikuar si kandidatë, 20 ditë nga vendimi.
Opozita nuk ishte dakord me procedurën, pasi sipas saj, vakanca është shpallur një herë gjatë legjislaturës së kaluar dhe nuk është më e nevojshme.
Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, tha se ky argument i opozitës nuk qëndron, pasi një pjesë e deputetëve të legjislaturës së kaluar, që kanë firmosur në mbështetje të kandidaturave, sot nuk janë më pjesë e Kuvendit, dhe si rrjedhojë procedura e mëparshme nuk është më e vlefshme.
Vakanca për detyrën e Avokatit të Popullit u shpall për së dyti vetëm me 8 votat e socialistëve në Komision, ndërsa 5 deputetët e opozitës bojkotuan votimin.
Në unitet mes socialistëve dhe demokratëve, me 13 vota u shpall vakanca edhe për detyrën e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.
Në seancën e parafundit të legjislaturës që lamë pas, Partia Demokratike kërkoi që në rend të ditës të futej urgjent votimi i Avokatit të ri të Popullit duke kërkuar që të votohej emri i saj, Besim Ndregjoni.
“Problemi i Avokatit të Popullit është një problem që shtyhet prej një viti. Kreu juaj Ramaduro nuk pranon kandidaturën që paraqet opozita, ndonëse ai plotëson çdo kriter dhe e nderon atë detyra. Ju kërkoni të imponoheni, përmes përjashtimeve pa asnjë kriter, kandidaturat e opozitës. Për ju kandidatura nuk pranohet vetëm se ka persekutim dhe burgosje politike. Z. Ndregjoni i plotëson të gjitha kriteret. Hajde ta votojmë dhe ta mbyllim këtë punë”, tha Berisha.
Për mazhorancën, e drejta që vjen nga tradita e opozitës për të propozuar emrin për Avokat të Popullit do të respektohet por kjo duhet të vijë pas një procesi.
“Ju nuk mund të vini, o ky o ramë e vdiqëm. Peleshi në mënyrë të përsëritur, Çuçi dhe unë u kemi thënë ejani të ndërtojmë një proces. Ju mund të sillni 4 kandidatura, hiqen 2 me propozim të mazhorancës dhe shkohet me dy kandidaturat e mbetur për t’u votuar. Mos harroni asnjëherë që kërkohen 84 vota, në këtë legjislaturë nuk janë. Nuk keni dashur vetë ta zgjidhni”, tha Balla.
Avokates së Popullit, Erinda Balanca i ka mbaruar mandati në maj 2022, por ajo vazhdoi punën duke pritur pasardhësin më shumë se tre vite.
Disa tentativa të parlamentit të shkuar për të gjetur një emër konsensual mes PS-së dhe PD-së dështuan, teksa kombinohej nevoja për 84 vota, si dhe një praktikë e mirë që ky post t’i besohej një emri të propozuar nga opozita.
PS ka tashmë 83 vota, dhe me 3 mandatet e PSD-së lehtësisht mund të zgjedhë një Avokat Populli pa përfshirjen e Partisë Demokratike.
Megjithëkëtë, PS ende nuk është shprehur nëse do të tentojë sërish konsensusin me demokratët.
Herën e shkuar u paraqitën në Kuvend figura të spikatura për këtë post ( Vitore Tusha, Bledar Dervishaj, Tartar Bazaj, Besim Ndregjoni, Dardan Mustafaj, Edison Frangu dhe Erald Aga), por asnjëherë ata nuk u hodhën në votim, sepse nuk u arrit një marrëveshje PS-PD.
Komente
