Pas 30 vitesh në Përmet është rihapur muzeu i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare me iniciativën e bashkisë.
Përurimi i muzeut u bë në përkujtim të 24 majit 1944, ditën kur u mblodh Kongresi i Përmetit, dhe ku Enver Hoxha vendosi themelet e regjimit komunist, që mbajti vendin për gjysmë shekulli në izolim. Por, për kryetaren e Bashkisë së Përmetit Alma Hoxha kjo është një ditë historike dhe muzeu do të pasurohet edhe më tej.
"Përmetit i ka munguar prej 30 vitesh muzeu. Ishte një sallë ku ishin të përziera objektet dhe ne menduan që në një vend historik të ngremë muzeun e luftës. Kemi ekspozuar dosjet e dëshmorëve, por është vetëm fillimi do na duhet një punë më e madhe për ta pasuruar muzeun. Ne do bashkëpunojnë edhe me muzeun kombëtar", tha ajo.
Ajo e shmangu pyetjen për diktatorin Enver Hoxha duke theksuar se lufta e partizanëve ka qenë heroike.
Gazetari Piro Nase: Ka rënë në sy mungesa e fotot së Enver Hoxhës?
Alma Hoxha: Po le të vlerësojnë këto objektet që janë çdo njeri ka të drejte e vet ta vlerësojë ose jo. Unë mendoj se lufta është pjesa më e rëndësishme e historisë së popullit shqiptar.
Objekte të ndryshme si armatime, fotografi, dosje janë vendosur tashmë në muze. Nuk mungon as ylli i kuq, simbol i komunistëve. Kjo iniciativë e bashkisë së Përmetit është kritikuar nga historiani Kastriot Dervishi i cili shkruan në facebook se ky është kongresi i turpit.
"Lajm i madh nga Bashkia e Përmetit, sipas së cilës, kongresi që instaloi regjimin më terrorist të Europës qenka “historik” e për këtë arsye duhet të jetë muze. Nuk figurojnë këtu as marshali Tito dhe as shokët melladin e dushan! Ishte një 'kongres' me karakter edhe seperatist sepse nuk përfaqësohej gjysma e Shqipërisë", shprehet Dervishi.