Pas më shumë se 30 vitesh, kanë rifilluar gërmimet arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja përmes një postimi në rrjetet sociale bën me dije se Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore prej 3 ditësh vijojnë gërmimet, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër.
Gërmimet arkeologjike synojnë të identifikojnë fazat më të hershme të ndërtimit të kalasë, duke kontribuar në pasurimin e njohurive shkencore dhe të ofertës kulturore për vizitorët.
Kalaja e Gjirokastrës është një prej destinacioneve që tërheqin gjithnjë e më shumë turistët, falë vlerave historike dhe arkitektonike. Ajo vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.
Kalaja e Gjirokastrës, është një ndër më të mëdhatë në Ballkan. Si një anije e madhe prej guri, ajo shtrihet në një hapësirë prej 335 metra. Ajo ndodhet në kodër nga ku shihet gjithë qyteti, si për të dëshmuar historinë e gjithë rajonit në shekuj.
Postimi i plotë i ministrit:
Pas më shumë se 30 vitesh, kanë rifilluar gërmimet arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër janë në ditën e tretë të gërmimeve, të cilat do të vijojnë përgjatë gjithë muajit Korrik.
Gërmimet synojnë të identifikojnë fazat më të hershme të ndërtimit të kalasë, duke kontribuar në pasurimin e njohurive shkencore dhe të ofertës kulturore për vizitorët. Zbulimet e para përfshijnë gjurmë të një kulle të periudhës së antikitetit të vonë (shek. V–VI pas Kr.), si dhe materiale të tjera karakteristike të kësaj kohe, prova të rëndësishme që dokumentohen për herë të parë dhe që hedhin dritë mbi origjinën e monumentit.
Komente
