Një valixhe e vjetër me dorëshkrime politike, etnografike e letrare mban copëza jete e krijimtarie të Musine Kokalarit. Siç shkruan në shënime shkrimtarja, po të mos qe për “lojën e sigurimit të Kadri Hazbiut” a për “helmin” që kanë derdhur ndaj saj udhëheqësit e komunizmit, shumë syresh do t’i kish përpunuar...
“Janë shënime që i ka mbledhur burgjeve, e që në vitet ’70 është përpjekur t’i rishkruajë. Ajo punonte gjithë ditën në punë krahu, e kur kthehej shkonte në bibliotekë. Kishte vetëm një rrogë punëtori. E vetme në Rrëshen. Një doktoreshë në letërsi, të vuante kaq shumë. S’kam fjalë për ta përshkruar!”
Në prag të 105-vjetorit të lindjes, të afërmit ia dhurojnë këtë trashëgimi Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, pavarësisht interesit që ka shprehur edhe një bibliotekë amerikane. Në këtë formë ata përmbushin amanetin që u la Musineja afro gati 4 dekada më parë...
“Ne i kemi marrë këto dokumente në qershor të vitit 1983. Kur i dha dokumentet dhe gjithë materialet ajo psherëtiu thellë. Saqë mendova se në atë kohë ajo mbaroi se ishte shumë e sëmurë atëherë. Dhe e pyes, çfarë ke Musine. Më përgjigjet: ‘Tani jam e qetë do të vdes rehat se dorëshkrimet janë në duar të sigurta” , shprehet Bibika Kokalari, bashkëshortja e kushëririt të Musinesë.
Mes letrave, Bibika Kokalari ka gjetur edhe korrespodencën me të. Ndërsa momentet që i emocionojnë më shumë teksa i kujtojnë, janë puna e rëndë e krahut që bënte Musineja në Rrëshen dhe shtrimin në spital, të cilin ia shtynin me muaj, pa i dhënë asnjë shpjegim.
“E kam takuar në spital. Kujtoj siluhetën e saj,flokët e drejta... Zbriti shkallët dhe më ledhatoi kokën”, tregon mbesa Rozeta Kokalari.
Ruan thuajse gjithçka të lënë nga Musineja.
“Në shtëpi unë i gjeta edhe 27 vepra të Enver Hoxhës, që ajo i merte, i lexonte dhe i nënvizonte. Po të them të drejtën nuk i mora.”
Ka ende për të zbuluar nga trashëgimia që ka lënë Musineja. Por, siç thonë të afërmit, shteti duhet të kthejë sytë nga shtëpia e saj në Gjirokastër, duke e hapur për publikun dhë të krijojë një qasje tjetër edhe për brezin e ri ndaj krijimtarisë së saj.
“Duhet të jetë në librat e shkollave, jo që nxënësit të njohin Musinenë, por që njerëzit të njohin historinë e vetë dhe të jenë krenar për nga vijnë. Sepse Musineja i takon të gjithë shqiptarëve, nuk i takon familjes sonë vetëm” , shton Rozeta.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, u bëri thirrje të gjithë pasardhësve të personaliteteve shqiptare, që të dorëzojnë dorëshkrimet që mund të kenë prej tyre. Sipas tij, është kjo mënyra më e mirë për t’i ruajtur, por edhe për të afruar publikun e studiuesit me veprën e idetë e tyre.