Në qershor të 2018-ës, Antonio Karafili u gjet i varur në pemë, në pyllin e Voskopojës. Kontakti i fundit me të ishte Kejsi Spahillari. Asokohe Kejsi 17-vjeçe dhe Antonio 18-vjeç kishin krijuar një lidhje dashurie por që u trondit pasi Antonio zbuloi tradhtinë.
Shtatë vite më pas, Prokuroria e Korçës arriti të zbardhë ngjarjen dhe të provojë se Antonio nuk i dha fund jetës nga dashuria e mohuar por e vranë dhe më pas fshehën krimin.
Nga indiciet dhe provat biologjike rezulton se Rexhep Vathi dhe Kejsi Spahillari e kanë mbytur me çarçaf Antonio Karafilin dhe më pas e kanë varur në pemë, duke inskenuar vetëvrasjen. Spahillari është zbuluar nga një gjurmë ADN-je në çarçafin me të cilin ishte lidhur në qafë viktima. Motivi i krimit dyshohet të jetë lidhja paralele që Spahillari kishte krijuar me dhe te moshuarin Vathi, i cili nuk jeton më pasi i dha fund jetës në gusht 2024.
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Korçës caktoi këtë martë (29 Prill) masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për Kejsi Spahillarin. Me akuzën e vrasjes me dashje, ndaj saj pritet të lëshohet urdhër-arresti ndërkombëtar pasi prej vitesh ka emigruar në Kanada.
Nëna e saj, Ana Spahillari, e cila jeton në Korcë, e çuan proces të sajuar, duke mohuar përfshirjen e së bijës në krim.
Pas gjithë kësaj beteje të gjatë për drejtësi, qendron nëna e Antonios, Mimoza Karafili e cila nuk u bind nga versioni i vetëvrasjes dhe vazhdimisht kërkoi rihetim. Në dosje është administruar dëshmia e saj ku thotë se i biri u gjet i varur në një degë pishe 1 metër e gjysmë nga toka, ndërsa i biri ishte 1.80 metër i gjatë. Këto dhe prova të tjera bindën prokurorinë të hetojë e zbardhë krimin e rëndë.
Pas 7 vitesh u zbulua se Antonio Karafili u vra nga partnerja dhe i dashuri i saj në Voskopojë. Ndërkohë nëna e Kejsit, Ana Spahillari i hedh poshtë këto akuza duke thënë se çdo gjë është e stisur.
"Asnjë gjë nuk është e vërtetë, çdo gjë është sajesë dhe stisur. Ka qenë ndryshe historia. Jam e shokuar. Unë nuk e njoh personin fare në fjalë, e kam dëgjuar nga historia në fjalë. Pa pasur një gjë konkrete të shpiket kjo histori. Si ka mundësi në kaq vite, policia nuk është në gjendje të zbulojë një krim kaq, dhe të bazohet në sajesa. Do të gjendet të dhëna biologjike në çarçaf se ka qenë Kejsi ishte ajo që e gjeti, bashkë me të ëmën e kanë prekur çarçafin. Nuk kishte arsye që Kejsi ta bënte këtë gjë. Ka nisur një luftë si me mullinjtë e erës, çdo gjë shpifet dhe besohet.
Të bëhesh vrasës pa pasur asnjë provë. Kejsi nuk ka lidhje fare, ishin në Korçë. Kishin pasur një grindje, kishin shkuar në Voskopojë, ai nuk kishte dashur të zbriste, e kishte lënë aty. Kishte marrë të ëmën dhe të vëllain, duke i thënë se nuk do të zbresë, kur vajtën e kanë gjetur. Ata nuk thanë se ishte i shtrirë ashtu si ata pretendojnë. Vetë e ëma tha se e ngritëm peshë që ngritëm çarçafin, jo e gjetëm në tokë. Pas një muaji e gjysmë filluan edhe stisën këtë gjë”, thotë ajo.
Komente
