Politikë

Pas Berishës, edhe partia e Metës ankohet për draft Kodin e ri Penal: Shtet represioni, kritikat të çojnë drejt burgut

29 Korrik, 15:36| Përditesimi: 29 Korrik, 16:00

  • Share

Pas Partisë Demokratike edhe Partia e Lirisë e Ilir Metës i quan respresive ndryshimet e parashikuara në draftin e Kodit të ri Penal.

Në një deklaratë, Tedi Blushi tha se ky draft të çon në burg për fjalën e lirë ndërsa e quajti vulë ligjore të shtetit të mafies.

Deklarata e plotë e Tedi Blushit: 

Drafti i ri i antikushtetues i Kodit Penal është një atentat ndaj shtetit të së drejtës, që synon asgjësimin përfundimtar të lirisë në Shqipëri duke kodifikuar juridikisht autoritarizmin politik të regjimit të Ramaduros.

Ky Kod Penal është rikthim i Nenit famëkeq, "55" për agjitacion dhe propagandëKy Kod është themeli i instalimit me ligj të Narkoshtetit, një manifest juridik i pushtetit absolut, që shemb çdo standard kushtetues dhe ndërkombëtar të drejtësisë penale, që e kthen shtetin në polici politike dhe e çimenton “drejtësinë” në armë në duart e Edi Ramës për të sunduar përmes frikës, ndëshkimit arbitrar dhe cënimit të lirive kushtetuese, duke shtypur në veçanti lirinë e fjalës, protestën dhe opozitën.

Shteti i represionit që synohet të instalohet me këtë Kod parashikon: 

Burg për fjalën e lirë, sepse çdo kritikë, postim apo protestë mund të cilësohet “terrorizëm” apo “dezinformim” dhe kushdo mund të përfundojë me pranga në duar për “agjitacion e propagandë.

Burg për parkimin, sepse bashkimi i “krimeve” me “kundërvajtjet” i jep fuqi prokurorisë që të kthejë çdo gabim administrativ në vepër penale.

Burg për kontratat, sepse bizneset dhe individët ndëshkohen penalisht për mosmarrëveshje civile, ndërkohë që kontrabandistët dhe klientët e Qeverisë përfitojnë imunitet të paprekshëm.

Liri për të dënuarit me burgim të përjetshëm, sepse parashikohen hapësira për lirimin e tyre pa asnjë kriter të qartë, duke çelur rrugën për pazare të fëlliqura politike dhe legalizim të korrupsionit gjyqësor.
Liri për hajdutët me pushtet, sepse abuzimi me detyrën, shpërdorimi i fondeve publike dhe korrupsioni i lartë praktikisht dekriminalizohen përmes kufizimit ekstrem të dispozitave për ndjekjen e tyre.

Kodi i ri Penal i pakonsultuar me asnjë grup interesi të mirëfilltë, me asnjë OJF apo organizatë të të drejtave të njeriut, pa pyetur avokatët apo profesionistët e drejtësisë, por i prezantuar në terr, nuk është ligj, por një mjet shtypës. 

Është vula ligjore e shtetit të mafies dhe si i tillë, duhet refuzuar, rrëzuar dhe dërguar në koshin e historisë bashkë me regjimin që e prodhoi.

I bëjmë thirrje çdo qytetari, intelektuali, juristi, çdo përfaqësuesi të shoqërisë civile dhe çdo aktori politik që beson te vlerat e lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës të kundërshtojë me forcë këtë grusht shteti juridik ndaj lirisë, si tentativë kriminale për instalimin e shtetit të mafias.

K.M/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër draftit të Kodit Penal, si iu duket?