Pas Besnik Muçit, në rrezik edhe anëtari i KLP dhe 8 drejtues prokurorish dhe gjykatash, emrat dhe dosjet

22 Nëntor 2019, 16:33| Përditesimi: 22 Nëntor 2019, 17:08

  • Share

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, organi fundor i Vetingut, ka shkarkuar nga detyra të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (shkalla e parë e Vetingut), por që vendimet për konfirmimin e tyre janë kundërshtuar nga Komisioneri Publik. Nga ana tjetër, Kolegji nuk kaq kthyer në detyrë asnjë subjekt që është shkarkuar nga KPK. Me këtë standard të frikshëm, KPA shkarkoi nga detyra edhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Deden si dhe anëtaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Antoneta Sevadarin, për mosjustifikim të disa shumave modeste. Vendimi i fundit i KPA ishte për shkarkimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçin, i cili ishte emëruar disa ditë më parë nga Presidenti Ilir Meta në këtë detyrë.  

Ndërkaq, Kolegji i Apelimit ka në shqyrtim dosje të tjera të anëtarëve dhe drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, të cilët janë konfirmuar nga KPK, por që Komisioneri Publik kërkon të shkarkohet nga detyra. Konkretisht, në vijim, Kolegji i Apelimit do të vendosë edhe për fatin e Besnik Canit, i zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kërkesa e Komisionerit Publik për shkarkimin e Canit, me argumentin se nuk justifikon një pjesë të pasurisë, po shqyrtohet nga trupa gjykuese e kryesuar nga Rezarta Schuetz, relator Ardian Hajdari si dhe anëtarë Albana Shtylla, Luan Daci dhe Sokol Çomo. Pozitat e Canit janë edhe më të rrezikuara në kushtet kur shkarkimi i tij nga detyra është rekomanduar fillimisht nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Pas këtij rekomandimi, Komisioneri Publik vuri në lëvizje Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. 

Gjatë javëve dhe muajve në vijim, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të vendosë për fatin e pesë drejtuesve të prokurorive, konkretisht për Elvin Gokajn, Donika Prelën, Artan Madanin, Petrit Çanon dhe Dritan Pekën. Gjithashtu, Kolegji i Apelimit do të vendosë edhe për fatin e katër drejtuesve të gjykatave, konkretisht të Kastriot Selitës, Ramiz Lalës dhe Alma Kolgjokës. Kolegji do të vendosë për shkarkimin nga detyra ose për konfirmimin në detyrë edhe të gjyqtares së Tiranës Regleta Panajoti, prokurorin pranë Prokurorisë së Përgjithshme Adnand Kosova, prokuroren e Krimeve të Rënda Manjola Kajana si dhe prokuror e Shkodrës Arben Dollapaj. 

Gjatë dy viteve të fundit, që kur ka nisur funksionimi i organeve të Vetingut, Komisioneri Publik ka kërkuar shkarkimin e 23 prokurorëve dhe gjyqtarëve. Deri më tani, KPA ka marrë vendim për 10 kërkesa të Komisionerit Publik, duke shkarkuar në të gjitha rastet gjyqtarët dhe prokurorët. Konkretisht janë shkarkuar nga detyra Gentjan Osmani, Besnik Muçi, Artur Malaj, Xhezair Zaganjori, Valbona Bala, Antoneta Sevdari, Astrit Faqolli, Alma Brati, Bashkim Dedja dhe Edmond Islamaj. Përpos Besnik Canit, Kolegji i Apelimit do të vendosë edhe për 12 gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë, të cilët janë konfirmuar në detyrë në shkallën e parë, por që Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e tyre nga detyra. 

Gjyqtarët dhe prokurorët në rrezik, dosjet në Kolegjin e Apelimit 

1.    Besnik Cani, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë
2.    Elvin Gokaj, drejtues i Prokurorisë së Apelit Shkodër
3.    Donika Prela drejtuese në Prokurorinë e Shkallës së Parë për Krime të Rënda
4.    Artan Madani, drejtues i Prokurorisë Kavajë
5.    Petrit Çano, drejtues i Prokurorisë Krujë
6.    Dritan Peka drejtues i Prokurorisë së Apelit Tiranë
7.    Ramiz Lala, kryetar i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër
8.    Kastriot Selita, kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë
9.    Alma Kolgjoka kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë
10.    Regleta Panajoti, gjyqtare e Tiranës
11.    Adnand Kosova, prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme
12.    Manjola Kajana, prokurore për Krime të Rënda Tiranë
13.    Arben Dollapaj, Prokuror në Prokurorinë e Shkodrës

( Kliko këtu ) Rekomandimi i plotë

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?