Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe presidenti rus Vladimir Putin

Pas bisedës me Putinin, Vuçiç njofton për marrëveshjen e re të gazit

29 Maj 2022, 14:44| Përditesimi: 29 Maj 2022, 14:48

  • Share

Serbia do të ketë një çmim shumë të favorshëm për gazin rus dhe se një marrëveshje për furnizime me këtë lëndë, që do të nënshkruhet, do të jetë trevjeçare, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pasi zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

“Ne do të nënshkruajmë një kontratë trevjeçare dhe nesër apo pasnesër, ne do të diskutojmë për sasinë e gazit. Serbisë i duhen sasi të mëdha të gazit, por mund të them se ne do të kemi një dimër të sigurt dhe bisedimet e mëtejme do të përcaktojnë se sa do të kushtojë gazi për ne”, tha Vuçiç.

Ai theksoi se Serbia do të vazhdojë të blejë gaz rus dhe çmimi do të jetë në bazë të formulës ekzistuese, e cila varet nga lëvizjet e çmimeve të naftës në tregun botëror, që nënkupton “ne do të kemi çmimin më të favorshëm të gazit në Evropë”.

Çmimi i gazit që Serbia do të blejë nga Gazpromi rus aktualisht është tri herë më i ulët sesa çmimi me të cilin e blejnë këtë lëndë shtetet e tjera evropiane, ndërkaq në dimër, ky çmim do të jetë dhjetë deri në 12 herë më i ulët.

Vuçiç tha se çmimi pritet të jetë 340 deri në 350 dollarë për 1,000 metër kubikë të gazit, por “ky nuk është çmimi final sepse do të varet nga sasia që do të dërgohet”.

Ai theksoi se janë pajtuar për çmimin për furnizimin e 2.2 miliardë metër kubikë gaz në vit dhe se Serbisë i duhen edhe 800 milionë metër kubikë për shkak të zhvillimit të industrisë.

Marrëveshja aktuale për furnizimin me gazin rus skadon më 31 maj.

Serbia kryesisht është e varur nga Rusia në sektorin e energjisë dhe në tregun e gazit dhe naftës në Serbi, monopol ka krijuar kompania ruse, Gazprom.

Gazpromi, drejtpërdrejtë apo përmes kompanive kontraktuese, është furnizuesja kryesore e naftës në Serbi. Po ashtu, kjo kompani ruse është e vetmja furnizuese e gazit në Serbi dhe ka në pronësi tubacionet e gazit që sjellin këtë lëndë nga Rusia në Serbi./REL

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?