Kronikë

Pas bregdetit, do të shemben ndërtimet pa leje në qendrat historike! Aksioni nis në zonën që ruhet nga UNESCO, dhe do vijojë në gjithë territorin e Qarkut Gjirokastër

11 Qershor 2021, 16:00| Përditesimi: 11 Qershor 2021, 16:29

  • Share

GJIROKASTËR- Pas zonës së bregdetit, aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje do të shtrihet në zonat historike të Qarkut Gjirokastër. Pranë Prefektit është ngritur Komiteti Rajonal i Zhvillimit të Turizmit, në zbatim edhe të Planit të Veprimit për Zhvillimin e Turizmit për vitin 2021. 

"Kemi inspektuar në terren dhe me urdhër të Ministrit të Brendshëm është ngritur task-force që përbëhet nga Policia dhe IKMT. Sigurisht është proces që do të vazhdojë, por përpara se të nisë ne jemi fokusuar tek parandalimi, për atë që e konceptojmë si informim i komunitetit. Sepse një pjesë e banorëve për shkak se janë të pa informuar për ligjin mbi ndërtimet, janë bërë shkelës të ligjit", shprehet Odise Kote Prefekti i Gjirokastrës.

Ndërsa po punohet për hartimin e një Plani-Kalendar konkret i cili synon rigjallërimin e sektorit të turizmit si një nga sektorët më prioritare në drejtim të zhvillimit ekonomik. Një pikë kyçe është nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit për mbrojtjen e monumenteve të kulturës në Gjirokastër, ndërmjet institucioneve vendore me përgjegjësi të drejtpërdrejtë në ruajtjen e tyre.

"Koncepti i këtij memorandumi ka të bëjë me faktin se nëse dëmtohet një shtëpi është një ngjarje, por dëmtimi i një monumenti kulture është një hata, sepse humbim vlerat tona historike. Ndaj është nënshkruar ky memorandum pasi kemi edhe trafikim të objekteve që kanë monumente kulture. Synimi është që të ruajmë si sytë e ballit të gjitha objektet monument kulture", deklaroi më tej Kote.

Aktualisht po punohet për evidentimin e ndërtimeve pa leje, që janë kryesisht shtesa në banesa, mure betoni, avlli dhe brenda 10 ditësh pritet të ndërhyhet për shembjen e tyre. Aksioni do të nisë prej zonës historike që ruhet nga UNESCO, për të vijuar në të gjithë territorin e Qarkut Gjirokastër.

Ndërkohë prej të hënës IKMT po vazhdon operacionin në bregdet, ku deri më tani janë shembur 10 objekte në Velipojë dhe 18 në Ksamil. Me mjetet e ushtrisë po punohet për pastrimin e inerteve.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?