Këshilli Bashkiak i Stambollit, i drejtuar nga opozita, zgjodhi një kryebashkiak të përkohshëm për të drejtuar qytetin, pasi kryebashkiaku Ekrem Imamoglu u burgos dhe është në pritje të gjyqit për akuzat për korrupsion, që ai dhe mbështetësit e tij i mohojnë dhe i quajnë të politizuara.
Këshilli Bashkiak emëroi Nuri Aslan si kryetar në detyrë me shumicën e votave të anëtarëve.
Arrestimi javën e kaluar i Imamoglu, rivalit më të madh politik të presidentit Tajip Erdogan, shkaktoi demonstratat më të mëdha antiqeveritare në Turqi në më shumë se një dekadë dhe çoi në arrestime masive, pasi qindra mijëra dëgjuan thirrjet e opozitës dhe dolën në rrugë në protesta kryesisht paqësore.
Burgosja i tij të dielën është kritikuar nga partia kryesore opozitare e Imamoglu, Partia Popullore Republikane (CHP), liderët perëndimorë, partitë e tjera opozitare dhe grupet e të drejtave si një veprim antidemokratik që synon eliminimin e një kërcënimi elektoral ndaj Erdoganit.
Qeveria mohon ndikimin mbi gjyqësorin dhe thotë se gjykatat janë të pavarura. Erdogan, i cili ka dominuar politikën turke për më shumë se dy dekada, i ka quajtur protestat mbarëkombëtare një shfaqje. Me vendim të qeverisë pas protestave masive, janë ndaluar protestat për një javë.
Komente
