Pas burgut të Spaçit, Partia Demokratike tjetër propozim për ‘dekomunistizimin’: Edhe burgu i Burrelit të shpallet Muze Kombëtar

28 Shkurt 2023, 15:41| Përditesimi: 28 Shkurt 2023, 17:33

  • Share

Pas propozimit për shpalljen e burgut të Spaçit Muze Kombëtar, në kuadër të paketës së dekomunistizimit, Partia Demokratike kërkon që muze Kombëtar të shpallet edhe burgu i Burrelit. Ky propozim vjen nga deputetja Dhurata Çupi, që dorëzoi amendamentin në Kuvend këtë të martë. 

“Duke ri-konfirmuar mbështetjen e plotë të projektligjit për shpalljen muze kombëtar të kampit të punës së detyruar të të burgosurve në Spaç dhe kampit të internimit tela me gjemba në Tepelenë, listës së muzeve kombëtarë t’i shtohet edhe burgu i Burrelit, i cili për 44 vite ka shërbyer si burg politik i regjimit komunist” thotë në relacion deputetja.

PD ka depozituar në parlament një paketë të plotë të dekomunistizimit, ku parashikohet pastrimi I politikës nga figurat e komunizmit, bashkëpunëtorët e tyre, por edhe ndalimin e simboleve të regjimit totalitar komunist.

‘Duke ri-konfirmuar mbështetjen e plotë të projektligjit për shpalljen muze kombëtar të kampit të punës së detyruar të të burgosurve në Spaç dhe kampit të internimit tela me gjemba në Tepelenë, nëpërmjet këtij amendamenti synohet që listës së muzeve kombëtarë t’i shtohet edhe burgu i Burrelit, i cili për 44 vite ka shërbyer si burg politik i regjimit komunist. Sipas të dhënave historike, burgu i Burrelit nisi ndërtimin nga fundi i vitit 1938. Fillimisht, u përdor si depo grumbullimi kryesisht nga administrate e luftës. Ndërkohë, nga viti 1946 e në vijim është përdorur për burgosjen e dënuarve politikë, që regjimi komunist i konsideronte si kundërshtarët më të rrezikshëm të tij. Ky burg njihej për kushtet e vështira dhe egërsinë me të cilën sillej administrate ndaj të burgosurve. Madje, një nga motot e të burgosurve lidhur me këtë burg ishte “Këtu i thonë Burrel, hyn dhe nuk del”.

Në burgun e Burrelit vuante dënimin elita e kohës. Kushtet ishin shumë të vështira dhe qindra të burgosur kanë humbur jetën, përfshirë edhe ish-kryeministrin Koco Kotta, ish-ministrat Gjergj Kokoshi dhe Xhevat Korca, gjeneralët Abaz Fejzo, Gjin Marku dhe Vaskë Gjini. Mes të burgosurve të këtij burgu, ishin klerikë të lartë si Visarion Xhuvani dhe Hafiz Ali Kraja, intelektualë si Mark Ndoja, Gjon Shllaku, Pjetër Arbnori, Fatos Lubonja dhe Sherif Merdani. Sipas të dhënave arkivore, numri mesatar i të burgosurve në këtë burg varion ndërmjet 150 – 190 të burgosur. Në Dhjetor 1990 në këtë burg vuanin dënimin 198 të burgosur.

Pikërisht për shkak të historisë së këtij burgu, një dëshmi e gjallë e kalvarit të vuajtjeve të të dënuarve politikë, vlerësojmë se ai duhet shpallur muze kombëtar. Duke e mirëkuptuar që aktualisht një pjesë e këtij burgu vazhdon të shërbejë si institucion i ekzekutimit të vendimeve penale, shpallja muze kombëtar duhet të përfshijë vetëm ato pjesë të godinave dhe territorit që sot nuk janë funksionale.

Ngritja e këtij muzeu i shërben jo vetëm kujtesës historike për brezat e tashëm e të ardhshëm, por edhe nderimit të sakrificave e kujtimit të atyre qindra të burgosurve që kaluan vuajtjet më të tmerrshme, vetëm sepse kishin zgjedhur të mos nënshtroheshin, duke iu qëndruar besnik bindjeve të tyre deri në fund.’- u shpreh Çupi.

Çfarë parashikojnë ndryshimet ligjore në projektligj:
Nisma ligjore e PD së Alibeajt parashikon ndalimin e simboleve të regjimit totalitar komunist, i veprave intelektuale për propagandë, i materialeve audio-vizuale për propagandë dhe i propagandës në veprimtaritë politike. Me simbole të regjimit komunist, nënkuptohet ‘fshirja’ e yllit të regjimit komunist, yllit të kuq shqiptar me pesë cepa, shallit të kuq me tre cepa, të flamurit me akronimet e PKSH dhe PPSH, të stemës “pushkë, kazmë dhe libër”, të stemës “drapër dhe çekan”, himni i Internacionales Komuniste, shenja përkujtimore dhe shënime të dedikuara për personat kyç në PPSH. Gjithashtu, parashikohet heqja e monumenteve, lapidareve, parullave, citateve të personave kyç në PPSH, heqjen e emrave të qyteteve, rretheve, vendndodhjeve, rrugëve, shesheve, urave, emra ndërmarrjesh, institucionesh ose organizatash që përmbajnë emrat ose pseudonimet e personave kyç në PPSH dhe të punonjësve të organeve të diktaturës komuniste apo emra që tregojnë aktivitete dhe ngjarje të lidhura me veprimtarinë e PPSH, duke përfshirë edhe ditë përkujtimoresh të festuara nga kjo parti.

Me ndalimin e veprave intelektuale për propagandë nënkuptohet ndalimin e veprave letrare, publicistike, leksionet, predikimet, fjalimet, çdo krijim tjetër me gojë, krijimet dramatike, kompozimet muzikore, krijimet koreografike, krijimet audio-vizuale, krijimet kinematografike dhe krijimet e tjera audio-vizuale të krijuara në mënyra të ngjashme me ato kinematografike, veprat radiofonike, krijimet e artit pamor në fushën e pikturës, skulpturës dhe grafikës, artet dekorative monumentale, krijimet arkitekturore që përfshijnë vizatimet, planet dhe skicat. Parashikohet zhdukja e fotografive, listat, hartat, krijimet hartografike, krijimet shkencore, monografitë, studimet, leksionet universitare, librat shkollorë etj.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • e drejta: 03/06/2023 14:52

    Jam kurioze te dije se cfare thote kryekomunisti banditi sahale berisha per keto burgjet ....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?