Politikë

Report Tv e denoncoi, qeveria zhbën ‘VKM Balluku’, ku merrte lejet e ndërtimit për gjithë Tiranën! Vendimi i ri: Miratim vetëm për ndërtesat që pengojnë fluturimet! Rikthehen kompetencat e bashkive

19 Shkurt, 14:25| Përditesimi: 19 Shkurt, 17:40

  • Share

TIRANE-Vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave me propozim dhe firmë të zv. Kryeministres Belinda Balluku që i jepte kësaj të fundit të drejtën e lejeve të ndërtimet në hapësira gjigande rreth aeroporteve të vendit nuk ekziston më. Pas denoncimeve të Report Tv, qeveria është tërhequr dhe e ka zhbërë vendimin e datës 18 dhjetor.

Në VKM-në e re të miratuar sot (19 shkurt), qeveria kufizon ndjeshëm territorin ku Autoriteti i Aviacionit Civil, nën varësinë e Ballukut, ka kompetencë për të dhënë miratim për lejet e ndërtimit, ndërkohë që më parë ishte me një rreze prej 15 kilometrash rreth 3 aeroporteve të vendit, ku mes të tjerash përfshinte thuajse gjithë Tiranën, siç duket në këtë rreth gjigand të raportuar më herët nga Report Tv. 

 

Gjurma në hartë (në formë rrethi gjigand) e hapësirës territoriale që përfshihet në “zonën e mbrojtur aeroportuale” në Tiranë

Qeveria në vendimin e ri e ka ndarë zonën e mbrojtur në aeroporte në tre kategori të ndryshme: Kategoria A 2 km nga pika e referimit të aeroportit, kategoria B me 2 km të tjera që vijojnë nga fundi i kategorisë A, dhe e fundit kategoria C që vijon me 11 km e tjera. 

Në vendimin e ri Autoriteti i Aviacionit Civil jep miratim vetëm për ndërtimet që pengojnë operimet ajrore. Në zonën A, pra në një rreze prej rreth 2 km nga pika e referimit të aeroportit dhe në zonën B, pra rreze 2 km të tjera, AAC jep miratim për të gjitha ndërtimet që pengojnë fluturimet pavarësisht lartësisë së tyre. Ndërsa në zonën C jep miratim vetëm për ndërtimet mbi 30 m lartësi.

Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit jep të gjitha lejet e ndërtimit në zonën A, të gjitha lejet e ndërtimit mbi 15 metra në zonën B dhe të gjitha lejet e ndërtimit mbi 30 metra në zonën C. Të tjerat jepen nga organet e qeverisjes vendore që ishin “harruar” në vendimin e parë. Qeveria kujdeset që VKM e 18 dhjetorit të mos ketë asnjë pasojë, dhe i shtrin efektet e vendimit të sotëm që nga data 23 dhjetor, kur i vjetri hyri në fuqi.

Report Tv denoncoi se Autoriteti i Aviacionit Civil merrte lejet e ndërtimet për 2100 km 2 në të gjithë vendin, në tre aeroportet civile të vendit, Tiranë, Kukës dhe Vlorë. 

Foto: Harta me 3 zonat e sigurisë ku duhet marrë leje nga AAC për ndërtimet

ÇFARË NDODHTE ME "VKM BALLUKU"?!
Shumë institucione shtetërore u surprizuan pas zbulimit nga Report Tv të VKM nr. 784 të 18 dhjetorit 2024, i cili përcaktonte kompetenca të reja për leje ndërtimi në një rreth 15km nga aeroportet kryesore të vendit, që nga bashkitë kalonin tek Agjencia e Zhvillimit të Territorit, por që kërkonin autorizim edhe nga Aviacioni Civil. Bëhej fjalë për një sipërfaqe gjigande prej 2100 km² të territorit të vendit të klasifikuar si “zona e sigurisë’’ e aeroporteve ku AAC merr kompetencat edhe për çdo plan territorial.  Pra zona gjigande rrethore me diametër 30 kilometera, por të jashtëzakonshme edhe për nga rëndësia, sidomos ajo e kryeqytetit e cila përfshin thuajse 5 bashki të plota. Në Vlorë përfshiheshin zona të rëndësishme si e gjitha Laguna e Nartës, sidomos Zvërneci, për të cilin projekte të rëndësishme ndërtimore janë prezantuar, përfshirë edhe një të dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner.

Vendimi, që mbante jo vetëm propozimin por edhe firmën e miratimit të vetë zv. kryeministres Belinda Balluku (nga të cilat varet edhe Autoriteti i Aviacionit Civil), siç edhe Report Tv raportoi më herët ishte në kundërshtim edhe me praktikën e vendeve Perëndimore, siç e tregon edhe ky dokument ku thuhet qartë se standardet ndërkombëtare kërkojnë që zona e mbrojtur për sigurinë aeroportuale përcaktohet vetëm 10 kilometra (dhe jo 15) dhe vetëm si zgjatim i pistës në të dyja anët e saj, dhe 15% e kësaj hapësirë horizontalisht dhe jo rrethore siç përcaktonte "VKM-Balluku'  

1737824127_standardieuropian.jpg

Foto: Skema e zonës së sigurisë sipas Rregullores Europiane

S.G/A.A/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?