Ardita Bufaj

Pas denoncimit të logos së 'Operas' , si plagjiaturë, pianistja Ardita Bufaj- drejtoreshës artistike: Mos guxo të kërcënosh njerëz të pafajshëm

13 Shkurt 2021, 14:05| Përditesimi: 13 Shkurt 2021, 14:09

  • Share

TIRANË- Pianistja Ardita Bufaj në një postim në rrjetet sociale, i bën apel drejtoreshës artistike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Abigela Voshtina, që të mos kërcënojë artistët për qëndrimet që ata mbajnë mbi logon e re të operës, e cilësuar si plagjiaturë.

Ndër të tjera, ajo shkruan se nuk ka pasur ndonjëherë frikë, dhe kur ka qenë pjesë e administratës së këtij institucioni, si pianiste, e jo më tani. Prandaj, i rikujton drejtoreshës, e cila është edhe kushërirë e ish-ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, se me terror jo vetëm nuk bëhet art, por as nuk mbahet një teatër opera.  

Postimi plotë i pianistes Ardita Bufaj
Po i drejtohem për herë të parë, me një gjuhë që nuk është në edukatën dhe kulturën time, drejtoreshës artistike të TKOB-së:” Mos guxo më të kërcënosh në telefon njerëz të pafajshëm, dhe të zësh në gojë emrin dhe të cenosh personalitetin tim, duke menduar se me arrogancën që ju karakterizon, do frikësoni çdo artist qe del dhe thotë të vërtetën! Nuk kam pasur ndonjëherë Frikë, edhe kur kam qenë përballë me ty, dhe jo më sot…! Harroje e nderuar, se me frikë e terror nuk mund të bëhet Art, dhe aq me tepër, të mbahet një Teatër Opere. Do ta mbrojë teatrin me shumë forcë dhe guxim, jo vetëm për kontributin 10- vjeçar që kam dhënë më shumë pune e pasion, por për gjithë kontributin e vyer të çdo artisti që ka dhënë shpirtin për ta mbajtur gjallë atë Teatër!”.

Fituesi i konkursit të shpallur për logon e TKOBAP është kompania “Pika Pro”. Shuma me të cilën u vlerësua dizenjimi, për të cilin artistët denoncuan se është blerë ne site ndërkombëtar për 10 dollarë taksapaguesve shqiptarë u ka kushtuar 1,845, 000 lekë. Në reagimin zyrtar TKOBAP ia delegoi përgjegjësinë kompanisë, nëse vërtetohet plagjiatura nga organet kompetente. Ndërsa, vet autorët e logos, e cilësojnë pagesën mëse të merituar, ndaj një punë shumë voluminoze, profesionale dhe të ndershme të të gjithë stafit të saj.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?