Pas Diasporës edhe minoritetet ankohen për ‘Zgjedhoren’: Duam vende të garantuara në parlament

18 Shkurt, 12:06| Përditesimi: 18 Shkurt, 12:33

  • Share

Pas diasporës që kërkon me ngulm votën e emigrantëve, edhe partitë minoritare janë skeptike për punën që po bën Komisioni për reformën zgjedhore, për të adresuar rekomandimet e OSBE-ODIHR.

Përmes një letre drejtuar dy bashkëkryetarëve Gjiknuri e Alibeaj minoritetet thonë se reforma e re duhet të garantojë përfaqësim të minoriteteve në parlament.

“Është thelbësore që Reforma Zgjedhore të zbatohet në një proces gjithëpërfshirës dhe konsensual dhe të adresojë çështjen e përfaqësimit të minoriteteve me vende të garantuara në parlament. Sistemi aktual është diskriminues dhe nuk garanton përfaqësim të drejtë për minoritetet, të cilat janë të shpërndara në të gjithë territorin e vendit, jo vetëm në zona të veçanta.”- thuhet mes të tjerash në deklaratën e përfaqësuesve të minoriteteve.

Komisioni i Reformës Zgjedhore pritet të mblidhet sërish të martën, ku në rend të ditës ka dëgjesën me shoqatat e diasporës.

Deklarata e plotë e përfaqësuesve të minoriteteve:

Në emër të partive të komunitetit maqedonas, vlleh rrom dhe egjiptian në Shqipëri, veçanërisht partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane dhe partia për Europianizim dhe Integrim e Shqipërisë, kërkojmë që Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore të trajtojë rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR-it, zbatimin e votimit dhe numërimit elektronik, administratë zgjedhore të depolitizuar dhe krijimin e kushteve për votimin e qytetarëve jashtë vendit.

Është thelbësore që Reforma Zgjedhore të zbatohet në një proces gjithëpërfshirës dhe konsensual dhe të adresoj çështjen e përfaqësimit të minoriteteve me vende të garantuara në parlament duke u siguruar atyre një zë të dëgjueshëm dhe efektiv. Kjo do të lejojë përfaqësuesit e tyre të mbrojnë dhe adresojnë në mënyrë efikase problemet e minoriteteve.

Sistemi zgjedhor aktual, proporcional rajonal, nuk adreson nevojat e një shoqërie të larmishme dhe të formacioneve sociale brenda saj. Ky sistem është diskriminues dhe nuk garanton përfaqësim të drejtë për minoritetet, të cilat janë të shpërndara në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, jo vetëm në zona të veçanta.

Shumë shtete evropiane kanë adoptuar modele të suksesshme për përfaqësimin e minoriteteve në parlament, si në Kroaci, Slloveni, Rumani, Hungari, Kosovë, Federatën Ruse dhe vendet skandinave. Këto shembuj duhet të shërbejnë si inspirim për ndryshime pozitive në sistemin tonë zgjedhor.

Përfaqësimi i minoriteteve në Parlament është jo vetëm një çështje e drejtësisë dhe barazisë, por edhe një detyrim që rrjedh nga konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe standardet ndërkombëtare që trajtojnë të drejtat dhe liritë e minoriteteve. Në veçanti, Opinioni i Pestë për Shqipërinë i Komitetit Këshillimor për Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Europës në vitin 2023 kërkon nga Shqipëria të ndërmarrë masa pozitive për të siguruar përfaqësimin e minoriteteve në Parlament.

Ne besojmë se ndryshimet në legjislacionin tonë për përfaqësimin parlamentar të minoriteteve do të na rendisin në mesin e shteteve më të përparuara demokratike në Evropë në lidhje me përfaqësimin e grupeve minoritare. Kjo është një mundësi për Shqipërinë të tregojë angazhimin e saj ndaj vlerave demokratike dhe respektimin e diversitetit.

B.V//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 19/02/2024 02:19

    Dhe keta nuk jane te vetmet minoritete,kemi greket,malazeste,pakicat serbe,turke,armene,hebrejte qe vendosen te rrine ne vend.Nuk po flasim per minorancat e reja qe po,ose do te krijohen me kalimin e kohes nga te huajt qe po zgjedhin te jetojne e punojne ne Shqiperi si italiane,aziatike,sllave,nordike dhe nga vende te tjera dhe keta nje dite do te vene kandidaturat e tyre(a nuk po i vene dhe shqipot kandidaturat ne shtetet e botes ku kane emigruar dhe kane plot raste qe kane fituar!).Vende te sigurta ne kuvend nuk ka,sepse cdo gje lidhet me voten e lire,por garantim zgjedhjeje e te zgjedhuri u duhet dhene te gjitheve e kujdo qe kontribuon e jeton ne Shqiperi e ka shtetesi shqiptare,ose mban dy shtetesi ku njera prej tyre duhet te jete patjeter shqiptare.

    Përgjigju
  • Pike e zeze: 18/02/2024 18:35

    Çfare lidhje ka vota e emigranteve me qiqrrat ne hell qe kerkojne keta? Emigranteve po u mohohet prej dekadash nje e drejte kushtetuese qe cdo shtet serioz ua garanton shtetasve me banim jashte kufijve. Fakti qe 40% e popullsise jane emigrante e ben shkeljen edhe me flagrante dhe ve ne dyshim legjimitetin e institucioneve te zgjedhura.

    Përgjigju
  • Ago Agai: 18/02/2024 15:01

    Ka nje menyre gjithmone, vota e lire. Te tjerat jane per keqardhje...!

    Përgjigju
  • Besi: 18/02/2024 14:04

    duhet te kete nje menyre te re rregjistrimi te pakicave kombetare ne Kqz e cila te lejoje nje devijim nga sistemi proporcional rajonal vetem per listat e vecanta te miratuara nga Kqz per individet nga keto komunitete

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?