Riaktivizimi i Grupit të Dialogut pas disa javësh pauzë kristalizoi qëndrimet e opozitës dhe vijën e kuqe të tyre për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Dy ditë pas vizitës së kryeministrit Rama me shqiptarët e Greqisë, socialisti Damian Gjiknuri deklaroi se ka paraqitur propozime konkrete në grupin e dialogut me opozitën, për t’i dhënë jetë votës së diasporës, por pa dhënë detaje konkrete
“Partia Socialiste ka qënë promotore e votës së disasporës dhe sot në tavolinë kemi zgjidhje konkrete. Ka një përpjekje për ta mundësuar dhe që do 84 vota që ne nuk i kemi. Nesër kemi thirrur përfaqësues të KQZ, lidhur me 2-3 cështje që kanë të bëjnë me teknologjinë në zgjedhje dhe votën e diasporës. Diskutime vazhdojnë. Vota e diasporës është në Kodin Zgjedhor do punojmë për ta materializuar më mirë interpretimin që ka bërë Gjykata Kushtetuese.”- u shpreh Gjiknuri.
Nga ana e saj Opozita e bëri të qartë se kërkesa kryesore do të jetë rikthimi tek marrëveshja e 5 qershorit 2020 për koalicionet dhe listat e hapura dhe akuzoi mazhorancën se po bllokon qëllimisht votën e diasporës.
‘E kemi thënë qenë fillim që objektivi kryesor i yni është rikthimi te marrëveshja e 5 qershorit. Mazhoranca është kundërshtuese dhe pas asnjë motiv. Partia Demokratike e ka pasur çështje votën e diasporës, Kodi Zgjedhor e lejon votimin e diasporës dhe është PS ajo që ka bllokuar nëpërmjet ministrisë së Brendshme regjistrimin e zgjedhësve. Në 4 vite nuk kanë gjetur kohën dhe mundësinë që të miratojnë rregulla dhe të bëjnë regjistrimin e zgjedhësve.’- tha Rithemelimi.
Por faji duket se mbetet jetim dhe përgjegjësia për mosrealizimin e votës së diasporës kalon nga njëra palë tek tjetra.
Ndërkohë nesër (15 maj) grupi i dialogut do të presë të tryezën e diskutimeve edhe përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të diskutuar rreth mundësisë së realizimit të votës së diasporës, rishikimin e strukturës së KQZ dhe depolitizimin e administratës zgjedhore.
Palët i kanë lënë afat vetes që deri më 1 korrik të kenë gati dokumentin e dakordësuar në formën e projekt-ligjit për ta dërguar në Kuvend për votim, por teksa afatet janë shkelur, ende dakordësi nuk ka për çështjet më të nxehta si rikthimi i koalicioneve, listat e hapura apo sistemi zgjedhor.