Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të lirojë nga qelia përfaqësuesin e subjektit brenda institucionit të vuajtjes së dënimit Ervin Kurtulla, njërin nga tre personat, e arrestuar për çështjen e korrupsionit në burgun 313 në Tiranë. Prej fillimit të muajit Prill, Kurtulla ndodhej në ambientet e burgut, pasi ndaj tij Prokuroria e Posaçme urdhëroi caktimin e masës së “arrestit në burg”.
Por Kurtulla vendosi të apelojë këtë vendim duke kërkuar zbutjen e masës së sigurisë. Kjo kërkesë është pranuar ditën e djeshme nga gjykata e Posaçme e Apelit, e cila me sa duket për shkak edhe të situatës së COVID-19, ka vendosur që të lirojë nga burgu Kurtullën dhe ta mbyllë atë në kushtet e shtëpisë.
Me të njëjtën masë sigurimi gjykata ka vendosur edhe për drejtorin e burgut 313 në Tiranë Eduart Struga si dhe shefin e logjistikës së këtij burgu Florjan Ahmetaj.Të tre këta persona u arrestuan nga policia dhe prokuroria e posaçme me akuzën e korrupsionit, pasi kërkonin para për të futur makineta ushqimi në dyqanin që ndodhet brenda ambienteve të burgut 313 në Tiranë.